NA

Nuridin Ahmeti

Instituti Albanologjik i Prishtinës, bashkëpunëtor shkencor
23
artikuj
2
revista
2008–2024
Revista: Gjurmime Albanologjike Univers

Artikuj (23)

Vështrim trajtimit të krimeve serbe ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1912-1913
Nga ngjarjet më tragjike në historinë e popullit shqiptar është edhe ajo e luftërave ballkanike, të zhvilluara gjatë viteve 1912-1913. Tragjike vlerësohet për faktin se në këto vite llogaritet se, nga forcat e Aleancës Ballkanike, u vranë dhe u masakruan mbi 20 mijë shqiptarë, pa kursyer as moshë e gjini, siç mund të shihet edhe në trajtimin që kemi bërë. Pavarësisht, rrethanave të kufizuara të informimit në atë kohë, disa nga gazetat e huaja arritën të merrnin informacione, të cilat i publikuan në gjuhë të ndryshme evropiane. Krahas artikujve që publikoheshin në gjuhë të huaja për këto ngjarje, publikoheshin edhe artikuj në gjuhën shqipe, posaçërisht në gazetën e njohur “Perlindja e Shqipëniës”. Gjithashtu, këto ngjarje u bënë objekt trajtimi edhe të disa studiuesve të huaj dhe atyre shqiptarë.
Personaliteti i Hoxhë Hasan Tahsinit në Kosovë
Nuk janë të pakta personalitetet në trojet shqiptare që kanë pasur mision të dyfishtë në jetën e tyre. Misionin në jetën shpirtërore, sepse ishin të shkolluar në atë rrugë, të cilin e kryen me shumë përgjegjësi dhe misionin e dytë për çështjen kombëtare, që, gjithashtu, krahas misionit shpirtëror e bënë pjesë të jetës së tyre. I tillë, në mesin e shumë prijësve fetarë te shqiptarët në përgjithësi dhe të atyre muslimanë në veçanti, ishte edhe personaliteti poliedrik i Hoxhë Hasan Tahsinit. Falë këtij kontributi, Hoxha Hasan Tahsini u bë preokupim i shumë penave në trojet shqiptare, në mesin e të cilave duhen veçuar autorë nga Kosova ose që veprimtarinë e tyre shkencore e zhvillonin në Kosovë. Në trajtimin e kësaj teme jemi kufizuar vetëm në Kosovë. Duhet thënë së në Kosovë figura e Hoxhë Hasan Tahsinit u bë pjesë e trajtimit nga studiues seriozë, si: H. Kaleshi, S. Rizaj, I. Rexha, P. Nushi, H. Koliqi, etj. të cilët bënë vlerësimet e tyre maksimale kryesisht për fushat në të cilat ishin dhe janë specializuar autorët përkatës. Personaliteti i Hoxha Hasan Tahsinit u prezantua dhe vazhdon të prezantohet edhe sot e kësaj dite në tekstet shkollore të historisë në Kosovë, kuptohet në tekste të historisë ku trajtohet historia jonë kombëtare. Mendojmë se, krahasuar me mundin e tij shpirtëror, shkencor e kombëtar që i kushtoi e i vuri në dispozicion atdheut dhe popullit të tij, ky personaliet është trajtuar kalimthi dhe nuk e ka ende trajtimin e merituar në tekstet tona të historisë. Po qe se duhet të bëjmë një krahasim të trajtimit të kësaj figure në tekstet tona të historisë nga viti 1943, kur u përgatit teksti i parë për histori kombëtare edhe filloi mësimi i historisë sonë kombëtare në shkollat tona në Kosovë, na rezulton se trajtimit të figurës së Hoxhë Hasan Tahsinit i është kushtuar hapësirë më shumë në tekstin shkollorë të vitit 1943 sesa në tekstet shkollore të historisë të botuara më vonë, deri në ditët e sotme. Është për t’u theksuar se nga vitit 1960, kur u botua teksti i parë shkollor i historisë në gjuhë shqipe, për të cilin bëmë fjalë më lart, e deri në vitin 1995 nuk e hasim askund emrin e Hoxhë Hasan Tahsinit në tekstet shkollore të historisë, as në tekstet e shkollave fillore dhe as në ato të shkollave të mesme. Për herë të parë nxënësit shqiptarë në tekstet shkollore të historisë do ta gjenin emrin e Hoxhë Hasan Tahsinit (me emrin Hasan Tahsini pa titullin “Hoxhë”, pas tridhjetë e pesë vjetësh më 1995 dhe foton e tij pas tridhjetë e gjashtë vjetësh, më 1996. Për sa i përket trajtimit të figurës së H. H. Tahsinit në jetën shoqërore në Kosovë në qytetet më të mëdha të Kosovës një rrugë mban emrin e tij. Gjithashtu emrin e Hoxhë Hasan Tahsinit e mban dhe një shkollë e mesme publike. Krahasuar me trajtimin e figurave të tjera, trajtimi i Hoxhë Hasan Tahsinit është për t’u admiruar, sepse për ne këto janë dëshmi premtuese se ky personalitet do të çmohet edhe më shumë në të ardhmen. Me zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë, sidomos pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008 dhe kur gjithandej Kosovës janë hapur Universitete profilesh të ndryshme, qoftë shtetërore a private, do të ishte për nder që ndonjëri nga universitet në Kosovë, pavarësisht a është shtetëror apo privat, ta mbaje emrin e ish- rektorit të parë të Universitetit të Stambollit, Hoxhë Hasan Tahsinit.
Migrimi i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë gjatë viteve 50 të shekullit XX
Njëra ndër valët e shpërnguljes së shqiptarëve nga ish-Jugosllavia për në Turqi, është edhe ajo pas vitit 1948, kur prishen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë. Këto shpërngulje intensifikohen sidomos pas vitit 1950, ndërsa në dokumentta- cione këto ngjarje i hasim edhe me termin shkombëtarizim. Për këtë aspekt kanë shkruar dhe kanë publikuar dokumente edhe studiues të tjerë, të cilët i kanë ndriçuar mjaft këto ngjarje. Prezantimi edhe i këtyre materialeve, të cilat i kemi hulumtuar, është edhe një plotësim i mozaikut të ngjarjeve që kanë ndodhur në këtë periudhë. Rrjedhimisht, e kemi vlerësuar me interes që t’ia bëjmë një vështrim dokumentacionit që e posedojmë. Ndoshta informacionet që përmbajnë këto dokumente mund t’i plotësojnë e për- forcojnë të dhënat gjatë këtyre viteve. Në këto dokumente gjejmë letra anonime, që janë dërguar në emër të popullit, nga shqiptarët e ish-Jugo- sllavisë, në adresë të Ambasadës të Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, me qëllim që kjo ambasadë të ndërhyjë në institucionet shtetëro- re të kohës në ish-Jugosllavi, për ta parandaluar, siç e quajnë ata, emigri- min dhe shkombëtarizimin e shqiptarëve në këto vise. “Ju lusim në tokë e në qiell! Ne se keni mundësi me intervenue për këtë: Në lidhje me shpër- nguljen e shqiptarëve për Turqi” – shkruhet, mes tjerash, në një letër, që i dërgohet në emër të popullit Ambasadës së Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd. Gjithashtu, hasim analiza e sugjerime të zyrtarëve të kësaj Ambasade lidhur me shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi. Për sa u tha më sipër, ne kemi përzgjedhur disa dokumente të vitit 1956-1959, që flasin për këtë plagë të shqiptarëve, që mendojmë se janë me interes për t’i prezantuar.
Eliminimi i elitës fetare të Shqiptarëve si formë e gjenocidit serb (1878-1999)
Pjesë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare gjatë historisë janë edhe krerët fetarë. Të lidhur me vendin dhe popullin ku shërbenin, sa herë popullit i është ekspozuar gjenocidit nuk janë kursyer as ata. Duke qenë se kjo shtresë kishte rol të veçantë shpirtëror, por edhe intelektual, ndikimi i saj në shoqërinë shqiptare ishte i theksuar. Kështu, shumë herë elita fetare shqiptare u vu në ballë të ngjarjeve me karakter shoqëror e politik në vendin tonë, ndërsa kjo rrjedhimisht bëri që ata të jenë ndër të parët që do t’i ekspozoheshin gjenocidit. Nga vitit 1878, kur Serbia fitoi pavarësinë dhe një pjesë e territoreve shqiptare u gllabëruan padrejtësisht, ndërsa popullata e tyre u largua me dhunë nga ato troje. Largimet e popullatës shumë herë ishin të shoqëruara edhe me masakrime, duke mos kursyer as moshë e as gjini. Sidomos u atakuan krerët fetarë. Luftërat ballkanike dhe periudha ndërmjet dy luftërave botërore njihen për planet e pushtetit të atëhershëm serb për eliminim e elitës fetare të shqiptarëve, sepse ky veprim makabër ndaj tyre ia lehtësonte veprimin pushtuesit në ato vende. Haxhi Zeka, At Luigj Palaj, Mulla Ademi i Keçekollës, Mulla Agan Koja, At Shtjefën Gjeçovi, Mulla Idriz Gjilani, At Bernard Llupi etj., janë vetëm disa emra të njohur nga kjo elitë që u eliminuan nga forcat serbe. Por, planet për eliminim e kësaj elite nga pushteti serb nuk pushuan as pas Luftës së Dytë Botërore e deri në luftën e fundit në Kosovë, ku në listën e të vrarëve dhe të dëshmorëve figurojnë edhe emra të krerëve tanë fetarë. Për sa u tha më sipër, në këtë vështrim do të prezantojmë eliminimin e planifikuar të figurave tona fetare nga pushtetit serbë, duke u fokusuar nga viti 1878 e deri në luftën e fundit në Kosovë.
Jeta dhe veprimtaria arsimore e shkencore e mësuesit dhe profesorit Skender Rizaj (14 mars 1930 - 28 nëntor 2021)
Pas Luftës së Dytë Botërore, në Kosovën e atëhershme, shqiptarët e shkolluar ishin të paktë. Rrjedhimisht edhe kuadri nga fusha e historisë mungonte. Njëri nga emrat e njohur të historiografisë shqiptare dhe nga të parët doktorë shkence nga shqiptarët e Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore ishte edhe mësuesi e Profesori ynë Skender Rizaj. Gjatë jetës së tij u shqua në tri fusha të veprimtarisë, si pedagog, shkencëtar e intelektual. Secilën nga këto fusha kemi bërë përpjekje që ta argumentojmë me materiale dhe dokumente. Gjithashtu, këtë punim e kemi pasuruar edhe me bibliografinë, për aq sa kemi mundur t’i tubojmë, nga opusi shkrimor i Profesor Skender Rizajt. Veprimtaria e tij shkrimore, edhe sot e kësaj dite, ka mbetur pikë reference për studiuesit tanë dhe të huaj. Periudha osmane te shqiptarët ishte fokusi kryesor i interesimeve të tija shkencore. Shpresoj se ky punim do të jetë një shtytje për të gjithë ata që dëshirojnë të merren me hollësisht me jetën dhe veprën e Profesor Skënder Rizajt.