LK

Lumnije Kadriu

15
artikuj
1
revistë
1970–2023
Revista: Gjurmime Albanologjike

Artikuj (15)

Rruga drejt përzierjes së zhanreve
Pothuajse të gjitha zhanret muzikore kanë veçoritë e tyre dhe priren të ruajnë origjinalitetin. Veçoritë e zhanreve muzikore, ku bën pjesë edhe interpretimi dhe pastaj adhurimi i një zhanri të caktuar muzikor, shpeshherë bëhen përcaktues identifikimi me një grup të caktuar (nën)kulturor. Muzika popullore tradicionale është konsideruar si një nga zhanret më pak fleksibël ndaj ndryshimeve pasi nënkupton jo vetëm autenticitet, por edhe lidhje të fortë me të kaluarën e “pandryshueshme”. Megjithatë, sot jemi dëshmitarë të përzierjeve të ndryshme zhanrore në muzikë dhe një rast mjaft i pazakonshëm i përzierjes së zhanreve në skenën kosovare, mund të konsiderohet ai i viteve ’90 të shekullit XX, kur dy këngëtarë shumë të njohur të muzikës popullore, Hashim Shala dhe Tahir Drenica, pranuan bashkëpunimin me këngëtaren dhe tekst-shkruesen e njohur të estradës Aida Baraku. Sfidë nuk paraqiste vetëm përzierja e zhanreve muzikore, por edhe përmbajtja e tekstit të këngës, e cila ishte mjaft provokuese, marrë parasysh se paraqiste një devijim nga "personaliteti modal" i shqiptarit, i cili reprezentohet përmes pamjes dhe shembullit të këngëtarëve popullorë tradicionalë.
“Besa‑besë” – fluiditeti i konotimit të këngës në kontekst (sub)nacional
Kënga folklorike e titulluar “Besa–Besë” fillimisht ishte një këngë lirike e titulluar “Lulja me erë”, e kompozuar nga etnomuzikologu i shquar shqiptar Ramadan Sokoli nga Shkodra gjatë viteve 1940. Kjo këngë së fundi është e njohur si këngë e cila shenjon Përfaqësuesen e Futbollit të Kosovës dhe fansat e saj “Dardanët”. Duke marrë parasysh që kjo këngë këndohet si një këngë që shpreh përkatësi të ndryshme lokale dhe rajonale e kënduar nga këngëtarë të ndryshëm të njohur lokalisht e kombëtarisht, si dhe nga tifozë të klubeve të ndryshme të futbollit në Kosovë, Maqedoni të Veriut e Shqipëri, është e qartë se është ajo është aq fluide sa të konotojë rende të ndryshme të pamjeve mendore, nga ato lokale, pastaj (subnacionale) e deri në atë kombëtare. Analiza kronologjike e historisë së këngës dhe konteksteve të përdorimit të saj do të mundësojë gjithashtu kuptimin e mënyrave të prodhimit dhe riprodhimit të kombit përmes saj
Kullat në Rrafshin e Dukagjinit - hambar kujtese dhe identiteti kulturor
Kullat në Rrafshin e Dukagjinit janë objekte banimi të cilat shquhen jo vetëm për veçantinë e tyre arkitektonike, por, gjithashtu, edhe për shpërfaqjen dhe reprezentimin e një mënyre të caktuar jetese. Në këtë punim do të paraqesim gjetjet nga hulumtimi i jetës shpirtërore në kulla, me ç’rast duke analizuar organizimin e jetës në kullë, si një objekt dhe hapësirë kulturore, shohim se cilat ishin dhe cilat janë vlerat shpirtërore të cilat u kultivuan aty, çfarë u praktikua e praktikohet, çfarë njohuri u bartën, cilat shkathtësi shquhen, si mbahen mend nga komuniteti sot, cilat ishin e janë mënyrat e reprezentimit në to, si vazhdojnë të rikrijohen dhe cilat janë mënyrat e identifikimit me to. Për të arritur te një pasqyrë sa më e plotë ky hulumtim u bazua përveç në gjetjet në terren që u volën me ndihmën e metodës së vëzhgimit dhe bashkëbisedimeve me banorë të tashëm e të dikurshëm të kullave, gjithashtu edhe në konsultimin e literaturës adekuate kombëtare e ndërkombëtare të lidhur me trashëgiminë kulturore në përgjithësi dhe kullat në veçanti