Kullat në Rrafshin e Dukagjinit - hambar kujtese dhe identiteti kulturor
Kullat në Rrafshin e Dukagjinit janë objekte banimi të cilat shquhen jo vetëm për veçantinë e tyre arkitektonike, por, gjithashtu, edhe për shpërfaqjen dhe reprezentimin e një mënyre të caktuar jetese. Në këtë punim do të paraqesim gjetjet nga hulumtimi i jetës shpirtërore në kulla, me ç’rast duke analizuar organizimin e jetës në kullë, si një objekt dhe hapësirë kulturore, shohim se cilat ishin dhe cilat janë vlerat shpirtërore të cilat u kultivuan aty, çfarë u praktikua e praktikohet, çfarë njohuri u bartën, cilat shkathtësi shquhen, si mbahen mend nga komuniteti sot, cilat ishin e janë mënyrat e reprezentimit në to, si vazhdojnë të rikrijohen dhe cilat janë mënyrat e identifikimit me to. Për të arritur te një pasqyrë sa më e plotë ky hulumtim u bazua përveç në gjetjet në terren që u volën me ndihmën e metodës së vëzhgimit dhe bashkëbisedimeve me banorë të tashëm e të dikurshëm të kullave, gjithashtu edhe në konsultimin e literaturës adekuate kombëtare e ndërkombëtare të lidhur me trashëgiminë kulturore në përgjithësi dhe kullat në veçanti