Kulturocidi serb ndaj shqiptarëve: Rasti i Kosovës: 1998-1999
Kulturocidi - rrënimi sistematik i trashëgimisë dhe i vlerave kulturore është fenomen që rregullisht i paraprinë, shkon krahas ose i pason tragjeditë e mëdha njerëzore. Me një fjalë, kulturocidi i qëllimshëm ndaj një populli a një vendi është një nga tiparet e gjenocidit, me të të cilin synohet shkatërrimi i trashëgimisë autoktone të një populli me qëllim të humbjes së identitetit të tij kulturor e etnik dhe të humbjes së kujtesës kolektive. Skenarë të tillë të kulturocidit, Serbia ka zbatuar për më shumë se një shekull ndaj fqinjëve të saj, pra edhe ndaj shqiptarëve dhe vlerave të tyre trashëgimore e qytetëruese, madje që nga shpërngulja e shqiptarëve me dhunë nga Sanxhaku i Nishit më 1877 e këndej, gjatë luftërave ballkanike, Luftës së Parë Botërore, midis dy luftërave, Luftës së Dytë Botërore e deri në luftën e fundit në Kosovë më 1998-1999, kur Kosova fiton lirinë dhe pavarësinë e saj. Pikërisht për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës në vitet 1998-1999 do të bëhet fjalë në punimin tonë.
Trashëgimia kulturore e Kosovës dhe lufta e viteve 1998-1999
Në këtë kumtesë do të trajtojmë trashëgiminë kulturore të Kosovës pikërisht për luftën e fundit. Kësaj here ne jemi fokusuar në qasjen e organizatave ndërkombëtare në Kosovë. Pyetja jonë hulumtuese është: si kanë reflektuar këto organizata për trashëgiminë kulturore, sa ka qenë kontributi i tyre për t’i tejkaluar vështirësitë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në kohë lufte dhe gjatë tranzicionit? Si ka reflektuar shoqëria për këtë çështje? Lidhur me këto pyetje, do të mundoheni ta bëjmë një shpjegim të kësaj teme gjithmonë duke analizuar ngjarjet dhe rrethanat e kohës, në bazë të përvojës nga terreni dhe literatura.