RP

Remzi Përnaska

2
artikuj
2
revista
2013–2021
Revista: Revista Albanon Gjurmime Albanologjike

Artikuj (2)

Albanologu Kristian Gyt
Dhe diku, në një cep të tavolinës së punës së albanologut, disa fletë të përkthimit në frëngjisht të pjesës shtesë të Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo të sapodërguar në shtëpinë botuese franceze duket se mezi ç’presin të renditen në dosjen e romanit të plotësuar tashmë edhe në frëngjisht; heshturazi, ato fletë të shkruara dëshmojnë përmbushjen e premtimit nga ana e albanologut; pranë tyre një fletore, me një medaljon me portretin e Dritëroit në kopertinë, dërguar në këtë fundnëntor nga vajza e Dritëroit, si shenjë mirënjohjeje e përmallimi ndaj albanologut; … dhe pranë saj, edhe një gotë e mbushur përgjysmë me raki mani të Boboshticës duket se pret të trokitet sërish mes dy miqve, si dikur kur diskutonin për histori e letërsi, zakone e tradita të atij populli që Dritëroi i përkiste dhe i këndonte, e ndaj të cilave albanologu mbeti i tërhequr gjithë jetën e u mundua t’ia dhurojë e bëjë të ditur edhe francezëve në gjuhën e tyre; e në cepin tjetër të tavolinës së punës, i hapur në një faqe nga fundi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, të cilin albanologu e solli në frëngjisht, me durimin e këmbënguljen e atij që imtësitë i kushtojnë më shumë se e tëra, një punë pothuaj pesëmbëdhjetë vjeçare. Diçka i ka ardhur në mendje në këto ditë të ligështimit të skajshëm trupor dhe ka dashur ta verifikojë; ndoshta ende një imtësi për të drejtën zakonore shqiptare për të cilën ka vite që studion e shkruan. Dhe aty përballë, pranë dëshmive të shumta të vlerësimit të punës së tij nga shteti francez, pranë titujve e dekoratave Kalorës i Urdhërit Kombëtar të Legjionit të Nderit (Chevalier de l’Ordre national de la Légion d’honneur), Kalorës i Urdhërit Kombëtar të Meritës (Chevalier de l’Ordre national du Mérite), Oficer i Arteve dhe Letrave (Officier des Arts et des Lettres), ja dhe dëshmitë si Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Profesor i jashtëzakonshëm i Universitetit «Aleksandër Xhuvani» të Elbasanit, Doktor Honoris Causa i Universitetit të Tiranës, Qytetar nderi i qytetit të Elbasanit. Është aty në studion e tij mes mijëra librash, madje të tillë edhe qindravjeçarë; diku në rafte, mes librave tejet të vjetër në formë dorëshkrimesh, ka edhe librin e parë të Gutenbergut; por në ditët e ligshtisë së madhe trupore, kënaqësinë e gjen te pasioni e dashuria për kulturën e popullit të vogël shqiptar; popull i vogël, por që diti të ketë monumente të mëdha; ndaj edhe në ato ditë të fundme lexon etshëm e shkruan me dorën e lodhur për atë histori, sikur kërkon të bartë sa më shumë informacion me vete në udhëtimin astral të cilin e pret gjakftohtë dhe me shpërfillje, për të qenë atje, “përtej” përgjithnjë me këtë dashuri të jetës. Dhe duket se i tillë udhëtoi shpirti i tij më 26 nëntor 2018, kur albanologu Kristian Gyt ndërroi jetë.