Portret i një etnologu në rini: venerim mbi mendimin etnologjik të Kadri Halimit
Në këtë shkrim diskutohet vepra etnologjike e Kadri Halimit, si një trajektore pune e nisur dhe e ndalur në rini, por e rimarrë dhe trajtuar prapë në pleqëri, brenda kushteve specifike të punës së tij akademike në Kosovën e periudhës jugosllave. Shkrimi synon të vërë në pah kahet teorike, tehun kritik dhe pozitën e Halimit në kontekst të mendimit etnologjik të kohës, sidomos në tekstet e tij të para, ku ngjizet interpretimi i tij etnologjik. Fokusi kryesor bie te punimi i tij e parë “Mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit”, duke analizuar gjuhën specifike që shpërfaq kontestin teorik të kohës. Pastaj, diskutimi vazhdon për shqisën vrojtuese të Halimit në tema specifike që rrok t’i analizojë në kontekst të filleve të etnologjisë si disiplinë shkencore në Kosovë. Me fokus te shkrimet e hershme të Halimit, ky shkrim synon të hetojë shqisën interpretuese brenda ciklit tematik të Halimit si etnolog shqiptar që ka punuar brenda kontekstit të etnologjisë inatitucionaliste të Kosovës në ish-Jugosllavi.
Nisje apo nis-e-sosje? fenomenologjia si qasje antropologjike në studimin e kulturës materiale
Në këtë shkrim, ofrohet një skicë e raportit të fenomenologjisë me kulturën materiale në kontekst të studimeve antropologjike. Fillimisht parashtrohet skena e mendimit fenomenologjik, pastaj diskutohet rryma e “studimeve të kulturës materiale”, në kuadër të antropologjisë. Tutje, theksohet e diskutohet studimi fenomenologjik i kulturës materiale, duke vënë theksin te fenomenologjia e peizazhit në veprën e Chris Tilley-t. Eseja vë në pah se fenomenologjia është punë e frytshme që nxjerr risi, duke theksuar risitë që sjell si dije në kontekst të raportit të njeriut me sendet, me botën përreth tij. Por, në fund argumentohet se nëse studimi antropologjik niset dhe soset vetëm përmes qasjes fenomenologjike, atëherë humbet pesha, shpeshherë e doemos-doshme e “objektivitetit” tradicional të krijuar për natyrën e sendeve, sidomos kontekstet historike dhe kognitive.
Kah një shtetgrafi e Kosovës? Një diskutim hyrës mbi premisat e një antropologjie të shtetit
Në këtë shkrim do të jap një pasqyrë të shkurtër të leximeve politologjike e antropologjike në kontekst të shtetit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Eseja është një përpjekje për të nisur një lexim më të thukët e një kërkim më të gjerë të tipit të “etnografisë së shtetit” apo “shtetgrafisë” që ndërlidh në objekt studimi strukturat, funksionin, praktikat, imazhet dhe diskursin e përgjithshëm, bashkë me arkitekturën e institucioneve shtetërore dhe efektin e shtetit si akt e proces në landskepin shoqëror e kulturor. Eseja shtron edhe pyetje-provë si kërshëri e filozofisë antropologjike: si mund të duket një argument antropologjik për një “Kosova - çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, gjithnjë i shtruar përmes një vrojtimi të ngeshëm etnografik/antropologjik të realitetit historik, politik e kulturor të Kosovës si botëkuptim e botëndërtim, si shtet e shtetndërtim, pa jehonën romantike e pragmatike të Sami Frashërit? Eseja është një përpjekje modeste për të theksuar nevojën e diskutimit të premisave të një antropologjie të shtetit e shtetndërtimit të Kosovës, duke parë përthyerjet mes shtetit si arkitekturë respublicae dhe shtetit si efekt, raport e negociatë me shoqërinë.
Kosova antropologjike
Në tri dekadat e fundit Kosova ka qenë objekt i studimeve të shumta në konverzacionin akademik ndërkombëtar në shkencat shoqërore, pasi vetë realiteti i Kosovës ka pësuar ndryshime të mëdha me implikime të mëdha dhe, si i tillë, ka qenë edhe përndjellës për interesin e studiuesve. Megjithatë, në vrojtim të parë, në këtë konverzacion vërehet se dominojnë studimet politologjike, shpeshherë me kontribute të ndërthurura nga disiplinat e tjera. Nga ky vrojtim duket se interesimi kryesor në komunitetin akademik ka qenë ai politik; pas rënies së Jugosllavisë, fokusi kryesor ra mbi ndërhyrjen e NATO-s më 1999 dhe fazën e shtetndërtimit të Kosovës, para dhe pas pavarësisë së saj më 2008. Duket se pyetja se çfarë lloj shteti po bëhet Kosova, si objekt sui generis i ndërhyrjes ndërkombëtare, ka përndjellë studime të shumta.2 Por, nuk mohohet se gjatë këtyre dekadave, sidomos në
vitet ’90-të, ka pasur një interesim mjaft specifik mbi historinë e përgjithshme të Kosovës (Malcolm 1998), e cila në vitin 1989 bie nën regjimin e dhunshëm të Serbisë dhe gjatë viteve ‘90 organizon rezistencë civile paqësore. (Howard 2000) Nga ana tjetër, kryesisht pas luftës së viteve 1998-1999, Kosova fillon të marrë vëmendjen edhe nga shkencat e tjera shoqërore, ku filluan studimet mbi të kaluarën socialiste, identitetin e aspekte të tjera të jetës sociale në shoqërinë kosovare.
“Nga gurra e traditës te gurra e kritikës”: aspekte të mendimit etnologjik të Mark Krasniqit
Në këtë ese do të shqyrtohet mendimi etnologjik i Mark Krasniqit, duke interpretuar disa nga aspektet kryesore të veprës së tij, të shkruar gjatë periudhës jugosllave (1945-1990), në kontekst të argumenteve, teorizimeve, qasjeve dhe metodologjisë së tij. Duke shqyrtuar veprat përkatëse dhe kontekstin e etnologjisë jugosllave në përgjithësi, eseja mëton të nënvizojë se mendimi i Krasniqit shquhet nga këto tri veçori: interpretimi i kulturës shqiptare në kontekst të arealit kulturor kombëtar të shqiptarëve, kritika ndaj trashëgimisë së etnologjisë serbe të shkollës cvijiqiane dhe përvetësimi i kornizës diskursive marksiste si pozitë teorike dominante në kontekst të sistemit politik jugosllav. Nga kjo analizë, synojmë të nxjerrim në pah faktin se etnologjia e Kosovës ka zhvilluar një furrik specifik albanologjik, duke afirmuar identitetin shqiptar të Kosovës në kontekst të mozaikut kulturor shqiptar dhe, njëkohësisht, duke kritikuar trashëgiminë cvijiqiane.
Filmi etnografik: një pamje e shfaqjes dhe e zhvillimit të tij