TP

Tomorr Plangarica

Akademia e Studimeve Albanologjike; The Academy of Albanological Studies
ORCID
9
artikuj
3
revista
2013–2025
Revista: Studime Filologjike Revista Albanon Gjurmime Albanologjike

Artikuj (9)

Për një hapësirë më të gjerë të gjuhësisë së diskursit në mendimin gjuhësor shqiptar
Në këtë punim synohet të hidhet dritë mbi zhvillimet në etapën e tanishme të një hullie të veçantë kërkimi në shkencat e ligjërimit, që po njihet përgjithësisht me emërtimet “gjuhësi e diskursit” ose “analizë e diskursit”; synohet, gjithashtu, të sillen argumente për nevojën e thellimit të shqyrtimeve në kuadër të gjuhësisë/analizës së diskursit në mendimin gjuhësor shqiptar. Në punim i kushtohet vëmendje kontekstit epistemologjik që mundësoi hedhjen e vështrimit përtej paradigmës strukturaliste të shqyrtimit të gjuhës si sistem, drejt gjuhës në përdorim, dhe vihen në dukje përparësitë e qasjes së re metodologjike në studimin e entiteteve “diskurs” e “tekst”, qasje që mundësuan të kapërcehet parimi i imanencës dhe të vlerësohet edhe ndikimi i faktorëve jashtëgjuhësorë në kuptimësimin e mesazheve në praktikat e ndryshme diskursive (kushtet e prodhimit të mesazheve, situatat e komunikimit, situatat e të thënit, roli i subjektit folës etj.). Mbështetje në parashtrime bëhen prurjet shkencore në disa shkolla gjuhësore, përkatësisht prurjet e shkollës anglo-saksone (në Europë e në SHBA), në kuadër të analizës së diskursit, prurjet e shkollës franceze të gjuhësisë së diskursit, sidomos përmes analizës së diskursit, gjuhësisë/analizës tekstore dhe semantikës tekstore, të dhënat për analizën e diskursit në shkollën gjermanike, e zhvilluar sidomos në kuadër të zhvillimeve në gjuhësinë e tekstit dhe shkencat sociale. Në mënyrë të veçantë nënvizohen disa aspekte që do të mundësojnë institucionalizimin konjitiv e social të dijeve të gjuhësisë së diskursit në mendimin gjuhësor shqiptar, pa të cilat ai do të shfaqej i gjymtë.
Për receptimin e veprës së Emil Zolait në mjedisin kulturor shqiptar
Artikulli synon paraqitjen sa më të plotë të veçantive të receptimit të veprës së Emil Zolait në mjedisin leximor/studimor shqiptar përgjatë shekullit XX, sidomos në vitet 1945-1990, periudhë kur u përkthyen në gjuhën shqipe disa prej romaneve e novelave të tij. Interpretimet në lidhje me vlerat e prozës së tij, pajtimet a mospajtimet me metodën e tij krijuese, natyralizmin, të pranishme në studimet kritike dhe estetike që paraqitnin linjën zyrtare të kohës, artikujt studimorë e informativë në revistat e gazetat e kohës, si dhe trajtesat e profesoratit universitar të letërsisë së huaj përbëjnë dëshmitë konkrete të atij receptimi, proces që kushtëzohet jo vetëm nga tiparet e veprës letrare, por edhe nga konteksti social, historik, ideologjik, estetik e letrar në të cilin kryhej ai proces i receptimit. Qasja teorike në shqyrtimin e këtij procesi është mbështetur në teoritë e receptimit dhe hermeneutikës letrare, aspekte të caktuara të të cilave janë të pranishme në trajtesë, për të ndriçuar më plotë natyrën dhe veçantitë e receptimit të veprës në mjedisin kulturor shqiptar. Për të krijuar një kontekst sa më të përshtatshëm të shqyrtimeve të bëra, janë sjellë të dhëna dhe interpretime edhe nga veçantitë e receptimit të veprës së Zolait në Francë dhe jashtë saj, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur vërehet një interesim, madje edhe një periudhë e rehabilitimit, në lidhje me veprën dhe personalitetin e tij krijues, edhe pse në mënyrë jo të njëjtë në mjediset kulturore e studimore të Europës së ndarë nga “Perdja e hekurt”.
Përkthimet dhe parapëlqimet letrare e kulturore, si tregues i pozicionimit estetik-letrar dhe paratopisë krijuese të poetit Vilson Blloshmi
Studimi synon të sjellë të dhëna dhe të bëjë interpretime për një rast tejet specifik në letrat shqipe, për një poet, krijimtaria e të cilit u vu në kontakt me lexuesin veçse shumë vite pas largimit nga jeta të autorit të tyre. Bëhet fjalë për Vilson Blloshmin (i pushkatuar kur ishte 29 vjeç (1948-1977)), i cili shkroi poezi, përktheu krijime letrare, kryesisht nga letërsia franceze, por nuk mundi të bëjë publike qoftë krijimet e tij poetike origjinale, qoftë përkthimet letrare, sepse nuk arriti të bëhet pjesë e fushës letrare të kohës, si pasojë e paragjykimeve klasore. Qasjet a pikëvështrimet e sotme në studimet letrare, në shkencat e ligjërimit e përkatësisht në analizën e diskursit letrar, konceptet dhe interpretimet për nocionet a kategoritë vetje biografike (individi me biografinë përkatëse jetësore jashtëletrare), shkrimtar, thënës a thëniepërftues në tekst (enonciateur), dokument/dorëshkrim, tekst (letrar) a vepër (letrare) ndihmojnë në shqyrtimin dhe rikuptimësimin e kësaj trashëgimie në dorëshkrim të V. Blloshmit që, në kontakt tashmë me lexuesin e sotëm, është formësuar si vepër letrare. Përkthimet, si dhe tekstet në frëngjisht të autorëve francezë, kryesisht të shekujve XIX dhe XX, të kopjuara me shkrim dore nga botime të ndryshme në gjuhën frënge, krijojnë një “antologji” poetike, e cila, edhe pse nuk erdhi e tëra në shqip, ndihmon të njihen parapëlqimet e tij letrare e kulturore, pozicionimi i tij estetik; ndihmon të njihet më nga afër procesi krijues i poetit, paratopia krijuese e tij; e, në këtë mënyrë, ndihmohemi të rikuptimësojmë dhe shijojmë edhe krijimtarinë origjinale poetike të tij.
Shuarja e zërit të një komuniteti diskursiv si dramë sociale
Vjen një kohë kur plagët sociale të bartura e përvijuara si drama individësh a të grupeve të individëve të caktuar fillojnë e shërohen si pasojë e përkujdesjes së shoqërisë, empatisë dhe respektit ndaj vuajtjeve të të dënuarve padrejtësisht dhe, në këtë mënyrë, shoqëria duket se lehtësohet disi nga ajo ngarkesë që pati sëmurur organizmin social. Por plagët sociale janë bartëse e dëshmi edhe të një dëmi tjetër, disi më i padukshëm, por po aq i pranishëm sa edhe dramat individuale ; është fjala për një dëm social që shkaktohet nga persekutimi i individëve a grupeve të individëve, kur ato përfaqësojnë komunitete kontribuesish në zhvillimet sociale, institucione që formësohen si të tilla për të përmbushur misione sociale, për të kontribuar në trajektoren e zhvillimeve intelektuale, kulturore në një kohë e hapësirë të caktuar. 
Albanologu Kristian Gyt
Dhe diku, në një cep të tavolinës së punës së albanologut, disa fletë të përkthimit në frëngjisht të pjesës shtesë të Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo të sapodërguar në shtëpinë botuese franceze duket se mezi ç’presin të renditen në dosjen e romanit të plotësuar tashmë edhe në frëngjisht; heshturazi, ato fletë të shkruara dëshmojnë përmbushjen e premtimit nga ana e albanologut; pranë tyre një fletore, me një medaljon me portretin e Dritëroit në kopertinë, dërguar në këtë fundnëntor nga vajza e Dritëroit, si shenjë mirënjohjeje e përmallimi ndaj albanologut; … dhe pranë saj, edhe një gotë e mbushur përgjysmë me raki mani të Boboshticës duket se pret të trokitet sërish mes dy miqve, si dikur kur diskutonin për histori e letërsi, zakone e tradita të atij populli që Dritëroi i përkiste dhe i këndonte, e ndaj të cilave albanologu mbeti i tërhequr gjithë jetën e u mundua t’ia dhurojë e bëjë të ditur edhe francezëve në gjuhën e tyre; e në cepin tjetër të tavolinës së punës, i hapur në një faqe nga fundi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, të cilin albanologu e solli në frëngjisht, me durimin e këmbënguljen e atij që imtësitë i kushtojnë më shumë se e tëra, një punë pothuaj pesëmbëdhjetë vjeçare. Diçka i ka ardhur në mendje në këto ditë të ligështimit të skajshëm trupor dhe ka dashur ta verifikojë; ndoshta ende një imtësi për të drejtën zakonore shqiptare për të cilën ka vite që studion e shkruan. Dhe aty përballë, pranë dëshmive të shumta të vlerësimit të punës së tij nga shteti francez, pranë titujve e dekoratave Kalorës i Urdhërit Kombëtar të Legjionit të Nderit (Chevalier de l’Ordre national de la Légion d’honneur), Kalorës i Urdhërit Kombëtar të Meritës (Chevalier de l’Ordre national du Mérite), Oficer i Arteve dhe Letrave (Officier des Arts et des Lettres), ja dhe dëshmitë si Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Profesor i jashtëzakonshëm i Universitetit «Aleksandër Xhuvani» të Elbasanit, Doktor Honoris Causa i Universitetit të Tiranës, Qytetar nderi i qytetit të Elbasanit. Është aty në studion e tij mes mijëra librash, madje të tillë edhe qindravjeçarë; diku në rafte, mes librave tejet të vjetër në formë dorëshkrimesh, ka edhe librin e parë të Gutenbergut; por në ditët e ligshtisë së madhe trupore, kënaqësinë e gjen te pasioni e dashuria për kulturën e popullit të vogël shqiptar; popull i vogël, por që diti të ketë monumente të mëdha; ndaj edhe në ato ditë të fundme lexon etshëm e shkruan me dorën e lodhur për atë histori, sikur kërkon të bartë sa më shumë informacion me vete në udhëtimin astral të cilin e pret gjakftohtë dhe me shpërfillje, për të qenë atje, “përtej” përgjithnjë me këtë dashuri të jetës. Dhe duket se i tillë udhëtoi shpirti i tij më 26 nëntor 2018, kur albanologu Kristian Gyt ndërroi jetë.
Përtej mitit për Normalen, vlera që i shërbejnë së tashmes
Shkolla Normale e Elbasanit është ndër ato institucione arsimore (gjithsesi jo të shumta), themelimi i së cilës u shoqërua njëherazi edhe me lindjen e mitit për të. Ndodhte ky asosacion fatlum, sepse ajo u konsiderua që në lindje si përmbushje e një dëshire që kishte dhjetëra vite që përvijohej e, për më tepër, e një shprese që rrokte jo thjesht hapësira të edukimit e arsimimit, por shumë më gjerë: të patriotizmit që duhej mëkuar, të intelektualizmit që duhej kultivuar, të shkencës që duhej themeluar e dijes që duhej përhapur në mjedise shumë më të gjera se në një institucion, një qytet a një trevë. Dhe kjo dëshirë, ky entuziazëm motivues veçse u materializua nëpërmjet breza pedagogësh e studentësh të atij institucioni; e për pasojë, veçse i përforcoi e zgjeroi përmasat e mitit për të.
Copëza malli, të një malli të pafund
Kujtimet dhe rrëfimet e jetës janë përgjithësisht udhëtime të bukura në hapësirat herë më të ngushta e herë më të gjera nëpër të cilat individi është endur përgjatë jetës së tij; udhëtime në ato hapësira prej të cilave ai vetë ka marrë nxitje, emocione, mbresa e shtytje që i mbeten të pashlyeshme në kujtesë, e si të tilla, në një kohë të mëvonshme kërkojnë të dalin prej kujtesës për t’u pronësuar në formën e copëzave të mallit edhe nga të tjerë, familjarë a të afërt të individit, bashkëkohës a pasues në kohë të tij: si të tilla, ato mund të ndjellin të njëjtat ndjesi edhe te të tjerët; janë mesazhe të cilat mund të rrinë disi ngushtë thjesht në kujtesën e një individi; jehona e tyre kërkon hapësirë më të gjerë për t’u vlerësuar për brendinë e vlerën që ato përçojnë. Ndaj, edhe pse lindin e përftohen të lidhura me një individ, me një mjedis familjar a rreth më të ngushtë shoqëror, ato jo pak herë tentojnë dhe pronësohen nga një numër shumë më i gjerë kundruesish, dëgjuesish, e në rastin më të mirë, lexuesish. Marrja në dorë e librit me kujtime e rrëfime Copëza malli, i shkruar nga Bim Dakli, leximi dhe endja bashkë me rrëfyesin në hapësira të gjera ndodhish e përfytyrimesh në kohë e vende të ndryshme, të njohura a jo prej nesh, na ndihmon të njohim e të zbulojmë gjithashtu edhe te vetja diçka të lidhur me to, shumëçka që nxitet prej tyre; na ndihmon të përftojmë së bashku me të ndjesi që mund të na çojnë herë në fëmijërinë tonë të hershme, herë në rini ; na ndihmon të endemi po ashtu edhe në hapësira ku kanë marrë kuptim tregues të rëndësishëm të qenies sonë, të përkatësisë sonë, edhe pse ato hapësira mund të mos jenë të njëjtat me ato të rrëfyesit ; e në këtë rast, kjo marrëdhënie u ngjan raporteve që krijojmë me ndodhitë në një shfaqje teatrale, ku edhe pse në vendin e spektatorit, ndjehemi gjithsesi, më së paku, dëshmitarë e përjetues të ngjarjes e veprimeve ; e hera-herës, pse jo, edhe përjetues edhe më shumë se vetë aktorët në skenë. Vendet e zhvillimit të veprimit, të përqendruara kryesisht në Elbasan e Tiranë, jo pak herë edhe në vise të tjera deri në Itali, Austri por edhe më gjerë, shndërrohen natyrshëm në hapësira në të cilat lëviz lirshëm rrëfyesi, por edhe ne të tjerët, duke përftuar një simbolikë të vlefshme edhe për sot.
Studimi i sintaksës dialektore dhe korpusi i gjuhës së folur shqipe
Nisma e ndërmarrë nga studiuesit e departamenteve të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) për shqyrtimin e variacionit sintaksor në të folmet e shqipes dhe përgatitjen e Atlasit të Sintaksës Dialektore të Shqipes (nismë e ndërmarrë qysh në vitin 2016) synon ndriçimin e një problematike që lidhet me çështje që jo vetëm plotësojnë hapësira ende të pambuluara sa duhet në studimin e shqipes, por, sidomos, që nxisin e orientojnë studimet për të ardhmen. Organizimi në këtë kuadër i tryezave të rrumbullakëta, ku diskutohen çështje të ndryshme teorike e praktike që lidhen me këtë projekt, janë një mundësi më shumë që u krijohet studiuesve për të shprehur qëndrimet e pikëvështrimet e tyre për të përvijuar një pamje sa më të plotë të problematikës që synohet të jetë pjesë e angazhimeve të tyre në të ardhmen. Mëtimi i organizatorëve për të nxitur debatin përmes këtyre tubimeve shkencore është shenjë emancipimi shkencor. Nxitja e debatit shkencor në fazën që paraprin përvijimin e platformës për studimin e objektit veçse shton sigurinë për suksesin e hapave që do të hidhen më tej. Produkte të pritshme të debatit janë pikëvështrimet që priren t‟i pasurojnë qasjet ndaj profileve të ndryshme të objektit, sidomos në periudhën e tanishme, kur kahet e shkollat e ndryshme të mendimit gjuhësor europian e më gjerë sjellin prurje me vlerë në aspektin teorik e praktik, që mund të orientojnë më mirë punën dhe të ndihmojnë në disiplinimin e energjive të shpenzuara.