AFA “Rugova” - vatër e madhe e ruajtjes së eposit të kreshnikëve
"Ansambli folklorik autokton “Rugova” është një simbol artistik i kësaj krahine dhe institucion i rrallë etnokulturor kombëtar që për 74 vjet e popullarizoi edhe lahutën e lahutarët në viset tona, në Evropë e jashtë saj. Prandaj, në këtë punim shkurtimisht paraqes një pasqyrë të lahutarëve të krahinës së Rugovës, që nga fillimi i themelimit të AFA “Ru- gova” e deri te brezi i sotëm i këtij fillimshekulli. Këtë pasqyrë do ta paraqes duke përshkruar e duke dhënë hollësi të shumta nga puna ime në projektin kërkimor “Epika legjendare e Rugovës” (1979-1988). Krahina e Rugovës, pas Luftës së Dytë Botërore, kishte rreth 100 lahutarë dhe shumë nga ta ishin ose janë edhe sot anëtarë të AFA“Rugova”. Unë punova me 45 lahutarë ru- govas. Kur e fillova projektin “Epika legjendare e Rugovës”, më 1979, ishin të mbledhura, nga të tjerët, nga viti 1937, rreth 20 mijë vargje të kreshnikëve, ndërsa kur e përfundova më 1988, shuma e vargjeve të incizuara e të mbledhura u shtua edhe me mbi 100 mijë vargje të tjera të rreth 300 këngëve dhe të mbi 40 njësive në prozë, në 15 vëllime. Përveç repertorit lirik dhe epik historik, këta lahutarë kishin shumë vargje këngësh të kreshnikëve, sa një e katërta e sasisë së vargjeve të fondit kombëtar, me rreth 400 mijë vargje. Kjo ishte sasia më e madhe e mbledhur në një krahinë etnogjeografike shqiptare, nga koha e G. Majerit e këndej (1987). Me Projektin vijues, E5, në Ballkan (2012-2016), ku bën pjesë edhe Rugova, janë mbledhur edhe rreth 100 mijë vargje të kreshnikëve dhe tash fondi kombëtar ka rreth 600 mijë vargje."
Kënga shqiptare nga pelagonia në fondet arkivore të universitetit të harvardit
Koleksioni i madh i këngëve epike të Gadishullit Ilirik apo të Ballkanit, i viteve ’30 të shekullit XX, që ruhet në fondet arkivore amerikane të Universitetit të Harvardit, i njohur me emrin Koleksioni i Millmen Perit, MPCOL (The Milman Parry Collection of Oral Literature), ka edhe këngë epike e lirike shqiptare. Aty përfaqësohet edhe krahina e Pelagonisë me këngëtarët Ethem Hasani me dy këngë epike dhe Hamdi Murati me dy këngë lirike. Vlerësohet lart pjesa e repertorit të epikës heroike historike e rapsodit E. Hasani, sidomos këngët e tij për Demë Ahmetin e Arif Sinanin, kënduar më 1934. Kjo kumtesë për këngët e Pelagonisë u realizua nga kërkimet e mia arkivore të vitit 2002 e 2007, në Harvard, në Koleksionin e M. Perit. Hulumtimi u krye atje sipas projektit tim për disertacion doktorate në vitet ’70 të shekullit të kaluar, por i vonuar për shkaqe politike. Qëllimi i këtij punimi është që të pasqyrojë punën time kërkimore arkivore në fushën e folkloristikës, në fondet arkivore të Harvardit. E ndër to janë edhe materialet epike nga Pelagonia. Ato janë dëshmi e shtrirjes gjeografike të epikës sonë të krijuar në krahinat tona veriore Llap e Karadak. Këtu pasqyrohen edhe kërkimet e mia jashtë Harvardit, në terren, për personazhet D. Ahmeti e për familjen e masakruar nga serbët dhe për ushtarin A. Sinani, që vret eprorin osman për nderin e familjes. Rëndësinë e tyre e shton sidomos vlera poetike dhe vendi i ruajtjes në Kembrixh, në njërin nga arkivat më të mëdhenj të epikës gojore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.