Perspektiva e gjuhës standarde shqipe në gjysmëshekullin e ardhshëm
Abstrakt
Në kohën që u arrit gjuha standarde shqipe, me Kongresin e Drejtshkrimit, shtytja e të gjithë shqiptarëve ishte që, si komb, ta kurorëzojmë indin lidhor të kombit të ndarë në disa shtete, por edhe të derdhur nëpër botë gjithandej.
E sot, kur Shqipëria e Kosova e kanë gjuhën standarde shqipe gjuhë zyrtare, ndërsa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë në përpjekje të mbarë që këtë ta arrijnë edhe në këtë shtet, duke e përmbyllur kështu me sukses një gjysmëshekull për ruajtjen e indit lidhor “Një komb – një gjuhë”, shtrohet pyetja se cilat do të jenë sfidat e gjuhës standarde shqipe në kushtet e integrimit europian dhe globalizimit.
Në mungesë të një politike gjuhësore shtetërore, që investon në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës standarde shqipe, ndërsa në kushte të “presionit të butë” (soft power) nga anglishtja, që sot po bëhet lingua franca e botës, si dhe duke u gjetur nën trysninë e mirëqenies ekonomike, por edhe duke qenë populli me shpërngulje kaq masive, së fundi edhe me rënien e natalitetit, sfidat që na presin në 100-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit do të jenë shumë më të mëdha për “shpëtimin” e gjuhës standarde shqipe.
Përtej parashikimeve jo të mira, na duhet një vizion i ri për gjuhën shqipe në gjysmëshekullin e ardhshëm.