Ndikimi i mësimit plotësues në arritjet akademike të nxënësve
Ky studim trajton ndikimin e mësimit plotësues në arritjet akademike të nxënësve në shkollat fillore të komunës së Prishtinës. Qëllimi kryesor është të vlerësohet nëse dhe si mësimi plotësues ndihmon në përmirësimin e rezultateve akademike dhe në tejkalimin e vështirësive gjatë procesit të nxënies. Është i rëndësishëm identifikimi i rasteve, që kanë nevojë për mësim plotësues, pastaj analiza dhe shqyrtimi i mundësive, që nëpërmjet mësimit plotësues, qysh në nivelin fillor, tu hapen shtigjet e dijes. Metodologjia përfshin kombinimin e analizës së literaturës me mbledhjen e të dhënave përmes pyetësorëve dhe fokus-grupeve me mësimdhënës dhe nxënës të klasës së pestë. Të dhënat sasiore janë analizuar me metoda statistikore përmes programit SPSS, ndërsa të dhënat cilësore janë trajtuar me metodën induktive. Mostra përbëhet nga 165 mësimdhënës dhe 330 nxënës, që përfaqësojnë 10% të popullsisë së arsimit fillor në komunën e Prishtinës. Rezultatet tregojnë se mësimi plotësues ka një ndikim pozitiv dhe të rëndësishëm në përmirësimin e arritjeve akademike të nxënësve, duke kontribuar në forcimin e vetëbesimit dhe motivimit të tyre për të mësuar. Ky studim nënvizon rëndësinë e organizimit të mësimit plotësues në mënyrë fleksibile dhe të përshtatur me nevojat individuale të nxënësve për të arritur rezultate më të mira akademike dhe zhvillim të qëndrueshëm në arsimin fillor.