Përvojat e edukatoreve gjatë fazës së pilotimit të kurrikulës për edukimin në fëmijërinë e hershme
Ky studim ka për qëllim të vlerësojë përvojat e edukatoreve gjatë fazës së pilotimit të kurrikulës për edukimin në fëmijërinë e hershme, duke analizuar gatishmërinë profesionale, sfidat dhe nivelin e mbështetjes institucionale që e kanë shoqëruar procesin e zbatimit. Hulumtimi synon të kuptojë se si është perceptuar dhe praktikuar kurrikula në institucionet parashkollore, cilat elemente kanë funksionuar mirë dhe cilat kërkojnë përmirësim për të siguruar një implementim të qëndrueshëm në nivel vendi. Studimi përdor një qasje metodologjike të kombinuar (mixed-methods), duke mbledhur të dhëna sasiore përmes një pyetësori të strukturuar me 54 edukatore dhe të dhëna cilësore përmes fokus-grupeve dhe protokolleve të vëzhgimit në klasë. Analiza sasiore është realizuar me statistika deskriptive dhe korrelacionale, ndërsa të dhënat cilësore janë përpunuar me metodën tematike. Rezultatet tregojnë se edukatoret shfaqin nivel të mirë përgatitjeje dhe përkushtimi ndaj kurrikulës së re, por përballen me sfida të rëndësishme, si mungesa e materialeve didaktike, pajisjeve teknologjike, trajnimeve të vazhdueshme, dhe mbështetjes institucionale. Megjithatë, pilotimi ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e praktikave pedagogjike dhe në rritjen e përfshirjes aktive të fëmijëve në procesin e të nxënit. Bazuar në gjetjet, rekomandohet forcimi i mbështetjes profesionale për edukatoret, përmirësimi i infrastrukturës arsimore, si dhe krijimi i mekanizmave të vazhdueshëm të monitorimit dhe reflektimit për zhvillimin e mëtejshëm të kurrikulës.
Praktikat edukative për integrimin e aktiviteteve fizike në punën me fëmijët 3-6vjeç
Edukimi në fushën e zhvillimit fizik është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e fëmijëve të moshës 3-6-vjeçare. Në edukimin e institucionalizuar parashkollor, edukatoret kanë rol me rëndësi në integrimin e aktiviteteve fizike gjatë realizimit të punës me fëmijë. Integrimi i zhvillimit fizik ka një rëndësi të veçantë, pasi që, përmes aktiviteteve, fëmijëve parashkollorë u mundësohet zhvillimi i gjithanshëm i tyre, përfshirë aspekte të ndryshme, si aftësitë motorike, shëndetin fizik, socializimin, zhvillimin e imagjinatës, kreativitetin, si dhe aspekte të tjera që lidhen me proceset kognitive dhe emocionale. Gjetjet e hulumtimit do të shërbejnë për përmirësimin e politikave arsimore për këtë nivel të edukimit dhe në aspektin praktik do të ndihmojnë të kemi më të qartë rëndësinë e integrimit të aktiviteteve fizike në zhvillimin e fëmijëve. Në shumë studime u gjet se ekziston ndërlidhja e aktiviteteve fizike me zhvillimin e aspektit kognitiv, emocional, social etj., të fëmijëve të moshës parashkollore, prandaj edhe u përcaktuam që kjo specifikë të jetë në fokus të këtij studimi. Qëllimi i këtij hulumtimi është të shqyrtojë dhe të analizojë praktikat edukative në institucione parashkollore lidhur me integrimin e aktiviteteve fizike gjatë realizimit të punës me fëmijë të moshës 3-6 vjeç. Përmes trajtimit teorik dhe hulumtimit empirik, synojmë që ky studim do të kontribuojë në përmirësimin e praktikave edukative, duke ofruar rekomandime për integrimin e aktiviteteve fizike në programet edukative të institucioneve parashkollore. Pyetja kryesore e hulumtimit është: Si integrohen aktivitetet fizike në praktikat edukative në institucionet parashkollore me fëmijët 3-6 vjeç? Studimi është realizuar sipas metodës cilësore, kurse të dhënat i kemi mbledhur përmes protokollit të vëzhgimit, të realizuar brenda aktiviteteve edukative dhe intervistës gjysmë të strukturuar me edukatore. Mostra përfshin gjithsej 20 edukatore të institucioneve publike. Dhjetë nga këto edukatore ishin të vëzhguara përgjatë aktiviteteve me fëmijët në klasë, kurse 10 edukatore ishin të intervistuara. Hulumtimi është realizuar në një periudhë kohore të përshtatshme, të caktuar paraprakisht me pjesëmarrësit. Studimi ofron të dhëna praktike nga terreni, lidhur me mënyrën e integrimit të aktiviteteve fizike përgjatë programit ditor me fëmijët në institucione parashkollore.