Shërbimi shëndetësor në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës Zona Operative e Llapit (1998-1999)
Ashtu si në zonat e tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), edhe në Zonën Operative të Llapit (ZOLL) ishte i organizuar Sektori Shëndetësor, i cili përbënte një element kyç të strukturës dhe funksionimit të brendshëm të saj. Megjithëse përballej me mungesë pajisjesh bazike, infrastrukturë të papërshtatshme dhe mbështetje të kufizuar nga institucionet shëndetësore civile, në ZOLL u ndërmorën përpjekje të vazhdueshme e të koordinuara për të krijuar një sistem shëndetësor funksional, të aftë t’u përgjigjej kërkesave të luftës. Në gjithë territorin e përgjegjësisë së Zonës, ky sektor ishte i konsoliduar dhe ushtronte një rol të gjithanshëm në mbështetjen mjekësore të luftëtarëve dhe popullatës civile, duke u bërë një hallkë thelbësore në ruajtjen e kapaciteteve operacionale dhe të mbijetesës. Ky studim shqyrton rolin dhe kontributin e personelit mjekësor të UÇK-së në ZOLL gjatë viteve 1998–1999, duke u mbështetur në burime parësore dhe dytësore, përfshirë dokumentacionin e kohës, literaturën ekzistuese dhe intervista me pjesëtarë të Komandës së Zonës dhe Sektorit të Shëndetësisë. Punimi përqendrohet në tri dimensione: vlerësimin e nevojave mjekësore në terren, planifikimin dhe zbatimin e shërbimeve shëndetësore, si dhe mekanizmat e monitorimit dhe koordinimit të vazhdueshëm. Organizimi përfshinte mbrojtje primare përmes ambulancave mobile dhe atyre të vendosura në terren, mbrojtje sekondare përmes spitalit ushtarak, shërbim farmaceutik të shpërndarë në gjithë Zonën, si dhe logjistikë për mbështetje ndërsektoriale. Rezultatet nxjerrin në pah rëndësinë e rolit të stafit mjekësor në garantimin e kujdesit shëndetësor për ushtarët dhe civilët, duke reduktuar komplikimet dhe përmirësuar shkallën e mbijetesës. Për shkak të shpërbërjes së institucioneve shëndetësore civile dhe zhvendosjes masive të popullsisë, struktura ushtarake mbuloi edhe nevojat civile. Studimi ofron të dhëna historike mbi organizimin, koordinimin dhe menaxhimin e shërbimit shëndetësor të UÇK-së në ZOLL, duke argumentuar mënyrat se si personeli mjekësor i tejkaloi mungesat materiale dhe infrastrukturore përmes organizimit të kujdesshëm, bashkëpunimit dhe mobilizimit profesional, dhe duke kontribuar në pasurimin e njohurive mbi menaxhimin e shëndetësisë në situata të jashtëzakonshme.