Mbi një variant empatik të baladës së murimit
Ideja se patjetër në Luginën e Shkumbinit flinte diku një variant i Baladës së murimit, kishte filluar të na ngacmonte prej kohësh. Për ne ishte paradoksale që kjo luginë, ku kalonte lumi, i cili ndante Shqipërinë dhe shqiptarët në gegë e toskë, pikërisht, aty pra, ku gjithsesi, fillonte njëfarë dizintegrimi gjuhësor dhe etnografik i shqiptarëve, të mos mbartej Balada e sakrificës. Përndryshe, Lugina e Shkumbinit konsiderohet nga arkeologët edhe si Lugina e Egnatia-s. Në këtë kuptim, ajo sipas prof. Neritan Cekës, ka qenë një kondicioner ku kanë fryrë dhe janë gërshetuar “erërat” kulturore të Lindjes dhe Perëndimit.
Nisur nga bindja jonë, se balada duhet të flinte diku, në një nga këto ditë pranvere me shira të gjatë, bashkë me mësuesin e anlgishtes, z. Lavdim Alliu, vajtëm në Qukës-Shkumbin, atje ku kishim identifikuar më parë gojëdhënën për “Gurin e Qumështit”. Në fakt ishte fjala për një këmbë ure, ku sipas gojëdhënës, pikonte qumështi i nuses prej shekujsh e murosur. Atje, gratë e sëmura nga gjiri shkonin për të gjetur shpëtim, pasi pinin disa pika nga ai qumësht shërues. Matanë lumit, pikërisht atje, ku fillon fshati tjetër, Qukës- Skënderbe, në një shtëpi dykatëshe me oborr të sistemuar me mure të thata guri, flinte Balada e murimit në variantin shkumbinas.
Relike të hershme të monumenteve të fjalës në luginën e Shkumbinit
Teksa mediton mbi variante të tilla, ku brenda rrëfimit në prozë ka prani vargjesh, të cilat edhe ato bëhen objekt i rrëfimit për shkak të natyrës së veçantë të organizimit të fjalës, një mendje të thotë se sot ato s’janë gjë tjetër, veçse variantet e dekonstruktuara të varianteve historike në vargje. Ashtu siç ka ndodhur me monumentet e gurit: qytetet antike, kalatë, urat, etj., një pjesë e mirë e të cilave janë kthyer në rrënoja, veç nyjave strukturore të tyre: harqeve, kolonave, arkitrarëve etj., ashtu ka ndodhur edhe me këto monumente të fjalës përgjatë historisë, vargjet janë shpërbërë. Me sa duket, për arsye të ndryshme historike, mekanizmat e transmetimit nga brezi në brez nuk kanë mirëfunksionuar. Për pasojë monumentet e fjalës në vargje, kanë mbërritur te brezat pasardhës thjeshtë në statusin e një informacioni në prozë për një ngjarje, të cilën ata vazhduan ta rrëfejnë siç e morën; në prozë. Ashtu sikurse monumentet e gurit janë rezistente pikërisht në nyjet strukturore, edhe këto relike të monumenteve të hershme të fjalës janë rezistente në nyje të tilla; në pika kulmore të subjektit apo në kthesa të rëndësishme të tij. Pikërisht për këtë arsye këto nyje vazhdojnë të mbeten në vargje, për më tepër duke u shenjuar si një mënyrë e veçantë e rrëfimit të ngjarjes apo historisë në momente të rëndësishme të saj.
Modelimi i legjendave për Skënderbeun dhe Marën e Sopotit sipas arketipeve antike greko-romake
Trevat e Librazhdit janë ndër më të pasurat me lëndë folklorike, që lidhet drejtpërdrejt me figurën e Skënderbeut, por edhe me figura të tjera siç janë: Gjorg Golemi, Mara e Sopotit, etj. Kjo pasuri përmblidhet kryesisht në legjenda apo rrëfime legjendare mbi heroin dhe bëmat e tij në momente rreziku për të, por edhe në momente ndriçimi profetik (si në rastin e Marës), për ngjarjen e ardhshme fatale. Ka midis këtyre legjendave apo rrëfimeve legjendare, që, në variante të përafërta, gjenden edhe në treva të tjera të Shqipërisë. Të tilla janë ato që motivojnë përkrenaren e Skënderbeut me kokën e dhisë. Kështu legjenda të tilla, përveçse në Rrajcë e në Xhyrë të Librazhdit, i gjen edhe në Ishëm për Kalanë e Rodonit1 dhe kalanë e Muzhlit.2Edhe sot banorë të moshuar dhe relativisht të moshuar të Domosdovës të tregojnë si më poshtë: