S

Senad Orhani

2
artikuj
1
revistë
2026
Revista: KËRKIME PEDAGOGJIKE

Artikuj (2)

Motivimi i nxënësve për të nxënë përmes lojërave kompjuterike
Studimi eksploron ndikimin e lojërave kompjuterike në rritjen e motivimit të nxënësve për të të nxënë. Përmes një shqyrtimi sistematik të literaturës së përzgjedhur, ky punim analizon mënyrat se si elementet unike të lojërave kompjuterike, si sfidat, shpërblimet dhe progresi i dukshëm, nxisin angazhimin dhe motivimin për të nxënë. Literatura tregon se lojërat kompjuterike ofrojnë një qasje më tërheqëse për nxënësit, duke krijuar një ndjenjë arritjeje dhe kënaqësie në procesin e të nxënit. Përmes ndërveprimeve dinamike dhe objektivave të qarta, lojërat kompjuterike ndihmojnë në ndërtimin e motivimit të brendshëm, i cili është i lidhur me një angazhim më të qëndrueshëm dhe të vetëdrejtuar në procesin edukativ. Metodologjia e këtij disertacioni përfshin hulumtimin empirik me nxënësit rreth asaj se sa kanë arritur nxënësit të motivohen dhe të kenë rezultate më të larta. Dizajni i zgjedhur është metoda kuazi eksperimentale me qëllim të vlerësimit të ndikimit shkakor të ndërhyrjes. Mostra për këtë hulumtim përfaqësohet nga rreth 229 nxënës, të cilët janë përzgjedhur nga 12 shkolla të mesme të ulëta në Kosovë. Metoda e përzgjedhjes së mostrës ka qenë ajo joprobabël, me një qasje të qëllimshme. Në kuadër të këtij hulumtimi, janë përdorur një sërë instrumentesh për mbledhjen e të dhënave sasiore dhe cilësore, duke përfshirë testet e njohurive, pyetësorët dhe intervistat gjysmë të strukturuara. Përfundimet mund të ndihmojnë edukatorët dhe zhvilluesit e teknologjive edukative në hartimin e strategjive që shfrytëzojnë potencialin e lojërave për të nxitur motivimin në mjediset mësimore.
Edukimi për qytetarinë digjitale në shkollat fillore - Një qasje pedagogjike
Në epokën e informacionit dhe komunikimit digjital, edukimi për qytetarinë digjitale është bërë një aspekt thelbësor i përgatitjes së nxënësve për të qenë pjesë aktive, e përgjegjshme dhe e sigurt e komunitetit online. Ky punim synon të shqyrtojë rëndësinë dhe mënyrat e integrimit të qytetarisë digjitale në arsimin fillor përmes një qasjeje pedagogjike gjithëpërfshirëse. Duke u bazuar në literaturën bashkëkohore dhe në analiza të praktikave arsimore, hulumtimi eksploron njohuritë, qëndrimet dhe kompetencat digjitale që duhet të zhvillohen tek nxënësit që në moshë të hershme. Gjithashtu, paraqiten strategji didaktike për mësuesit që synojnë nxitjen e ndërgjegjësimit për etikën në internet, sigurinë kibernetike, sjelljen përgjegjëse dhe menaxhimin e informacionit në mjediset online. Gjetjet theksojnë nevojën për zhvillimin profesional të mësuesve dhe përfshirjen e qytetarisë digjitale si komponent i integruar në kurrikulë. Studimi sugjeron një qasje të balancuar mes teknologjisë, pedagogjisë dhe edukimit etik, duke e konsideruar qytetarinë digjitale jo thjesht si përmbajtje teknologjike, por si një dimension i formimit qytetar të brezave të rinj.