Perceptimet e mësuesve udhëtues për praktikat e gjithëpërfshirjes në Kosovë
Ky hulumtim ka për qëllim të identifikojë perceptimet e mësuesve udhëtues për praktikat e gjithëpërfshirjes në Kosovë. Meqë procesi i gjithëpërfshirjes has në sfida të shumta dhe ofrimi i mbështetjes nga mësuesit udhëtues për shkollat, të cilat përfshijnë nxënës me nevoja të veçanta arsimore, është një praktikë që është duke u zbatuar në Kosovë, konsiderohet se pikërisht mësuesit udhëtues janë njohësit më të afërt të zhvillimit të procesit të gjithëpërfshirjes. Andaj, perceptimet e tyre mund të japin një reflektim të drejtë për përparësitë dhe sfidat në këtë proces, duke identifikuar nevojat për ndërhyrje institucional. Hulumtimi ka qasje cilësore, me metoda përshkruese, vlerësuese dhe eksploruese. Mostra e hulumtimit përbëhet nga 9 mësues udhëtues, të pesë Qendrave Burimore për mësim dhe këshillim (QB) – nga 2 në 3 QB për fëmijët me dëmtime intelektuale, 1 të QB për fëmijët me dëmtime në dëgjim dhe 2 mësues udhëtues të QB për fëmijët me dëmtime në të parë. Për realizimin e hulumtimit është hartuar pyetësori për intervistë të mësuesve udhëtues - referuar pyetjes kryesore: Cilat janë perceptimet e mësuesve udhëtues për gjithëpërfshirjen në Kosovë? Rezultatet e hulumtimit tregojnë se, sipas perceptimeve të mësuesve udhëtues, praktikat e gjithëpërfshirjes në Kosovë janë në trendë të avancimit, por ekzistojnë ende sfida, të cilat e përcjellin këtë proces në gjithë hierarkinë institucionale arsimore. Dallimet e mëdha ndërmjet komunave, e sidomos ndërmjet zonave urbane dhe rurale, pasqyrojnë një laramani të zbatimit të gjithëpërfshirjes. Rekomandohet ngritja e investimeve, duke filluar nga vetëdijesimi, resurset materiale, resurset profesionale, baza e të dhënave për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe krijimi i mekanizmave për monitorimin e procesit dhe llogaridhënies së aktorëve relevantë.