RD

Rudolf Deliana

2
artikuj
1
revistë
2020–2021
Revista: Revista Albanon

Artikuj (2)

Elbasani në vitet ‘30 të shek. XX
Nga Shpallja e Pavarësisë më 1912 e deri në Kongresin e Lushnjës më 1920, shteti shqiptar nuk mundi të çonte përpara përparimin e vendit. Kjo kryesisht për faktin se Europa u përfshi në nji kacafytje botnore dhe për rrjedhojë vendi ynë u shkel nga ushtri të ndryshme ndërluftuese si ato italiane, franceze, austro- hungareze etj. Si pasojë edhe Elbasani në periudhën 1912 – 1920, nuk pati ndonjë përmirësim të dukshëm në kulturë, në ekonomi, pra në përparim. Edhe vitet ‘20 me ngjarjet e ndryshme në luftën e brendshme politike, nuk qenë të favorshme për nji zhvillim të vendit e po ashtu edhe t’ Elbasanit. Ai mbeti ashtu siç qe. Rrugët mbetën po ato të kohës së Turqisë, diku me kalldram siç ishin ato në lagjen Kala apo në Pazar, e diku pa kalldram e plot gropa me ujë e baltë. Nga ana tjetër, qyteti lidhej me rrugë thuejse automobilistike me Durrësin, Korçën, Beratin e ndonjë tjetër, por jo me Tiranën. Vetëm në vitet ‘30 u ba lidhja me kryeqytetin nëpërmjet një rruge të rregullt që kalonte në Qafë Krrabë, nji nga investimet ma të mëdha të shtetit tonë të asaj kohe në infrastrukturën rrugore të vendit. Kjo rrugë i dha frymëmarrje lidhjes së Elbasanit me qendrën e shtetit e nëpërmjet saj me pjesën veriore të atdheut, duke krijue kështu mundësinë e rritjes së marrdhanieve ekonomike e kulturore të ndërsjellta.
Fakte te reja te panjohura per familjen e Kristoforidhit e pasardhësve të tij
Konstantin1 Nelkoja ose Konstantin Kristoforidhi, siç njihet tani nga Shqipëria e bota, është ndoshta figura qëndrore e Rilindjes sonë, rreth së cilit u grumbulluan e punuan së bashku për të nxjerrë në dritë kombin tonë, që Perandoria Osmane e zhyti në errësirën e mesjetës e të prapambetjes, në një kohë kur edhe vetë po jepte shpirt. Konstantin Kristoforidhi lindi në Elbasan. Qe djali i vetëm i familjes, që kishte edhe tri vajza. Pra, qe vëlla me tri motra, që e deshën dhe e ndihmuan me sa patën fuqi e mundësi. U largua nga Elbasani ende adoleshent. Nisi studimet e mesme që i përfundoi me sukses dhe vazhdoi më tej studimet e larta. Në Elbasan kthehej vetëm për pushime ose për të kryer ndonjë punë. Nis lëvizjet e tij nëpër vende të ndryshme dhe gjatë tyre martohet. Gjithë jetën e kalon larg atdheut, por duke “qëndruar pranë” orë e çast me studimet që bënte mbi gjuhën e të parëve të tij e me shkrimet që botonte në shtypin e kohës, me të cilat përcaktonte gramatikën e gjuhës sonë. Për veprimtarinë e tij patriotike, gjuhësore e letrare, ka dokumente të shumta e që tani janë plotësisht të njohura. Janë të paktë dokumentet që flasin për jetën e tij private e mbi familjen e tij. Ato pak dokumente që sot ekzistojnë nëpër arkivat e ndryshme, na i kanë lënë disa nga bashkëkohësit e tij, që njohën nga afër atë dhe familjen e tij, sidomos mbas vitit 1885, kur u vendos përfundimisht në Elbasan e ku mbylli sytë më 1895. Janë disa persona, njohës, shokë e miq të tij, që do t’i quajmë biografë. Ndër kryesorët janë Losh Papamihali, Simon Shuteriqi dhe Dhimitër (Mimë) Bibaja. Ka edhe të tjerë që kanë folur apo shkruar për të më pak, por shkrime me vlera. Losh Papamihali është një ndër shokët dhe miqtë e tij më të afërt. Njohja midis tyre ndoshta ka nisur qysh në fëmijëri apo rini. E ruajtën atë njohje edhe gjatë kohës që Konstantini kryente studimet, apo nisi veprimtarinë e vet patriotike dhe e vazhduan nga afër gjate gjithë viteve të fundit të jetës së tij. Loshi ishte nga lagjja Kala, një nga burrat më të njohur të dy familjeve Papamihali, që jetonin bashkë në të njëjtën shtëpi, ku banojnë ende sot stërnipat e tyre.