Përtej diskursit medikal: një qasje antropologjike ndaj përjetimit të humbjes së fëmijëve të zhdukur në Kosovën e pasluftës
Lufta 1998-1999 në Kosovë vazhdon të shtrijë ndikimin e saj veçanërisht tek ata/o, të cilët ende nuk kanë gjetur të afërmit e tyre. Bazuar në punë etnografike në terren ky artikull fokusohet në mënyrën se si prindërit e fëmijëve të zhdukur e përjetojnë dhe ballafaqohen me humbjen e tyre edhe pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës. Ajo çfarë vihet në qendër të argumentit tim është pse modelet mjekësore shpeshherë vënë më shumë theksin në simptomë dhe në përjetimin trupor të kësaj përvoje sesa në mënyrën si ajo është e konstruktuar shoqërisht. Prandaj, artikulli argumenton rëndësinë e kontekstit, aftësitë dhe modelet lokale të përjetimit dhe përballimit me humbjen, si dhe mënyrën se si këto paraqitje na shfaqen jo nga ndonjë veprim i veçantë, por nga vetë përditshmëria e njerëzve. Artikulli ka për qëllim të sjellë një realitet më kompleks dhe të llojllojshëm përmes diskutimit të tri historive dhe përpjekjeve individuale: përpjekja për njohje dhe kompensim, memorizimi dhe heshtja. Këto tri histori analizohen brenda kontekstit të Kosovës së pasluftës si dhe boshteve socio-ekonomike dhe gjinore, të cilat së bashku u japin kahe narrativave dhe praktikave të ndërmarra për ballafaqimin me humbjen.