Thesaret “e fshehura” të qytetit të Elbasanit
Nxitjen për këtë shkrim e kemi marrë nga pyetjet e shumta të qytetarëve për monumentin arkeologjik, bazilika paleokristiane ose e kristianizmit të hershëm, që është zbuluar te Bezistani.
Bazilika është një tip ndërtimi i arkitekturës romake, në të cilën hapësira e brendshme ndahet për së gjati në tri pjesë që quhen “nefe” apo “anijata”. Këto salla kanë shërbyer për veprimtari shoqërore si: takime, mbledhje, gjyqe. Me legalizimin e kristianizmit nga perandori romak me origjinë ilire, Kostandini i Madh, në vitin 313 të erës sonë, ky tip ndërtimi do të merrej nga feja e re për godinë të kultit të saj, sepse ato ishin më të përshtatshme. Ishin të lehta për t’u ndërtuar dhe në to mund të qëndronin një numër i madh besimtarësh. Këtij tipi ndërtimi, kristianizmi i bëri një sërë ndryshimesh për t’i shërbyer sa më mirë atij. Me një fjalë, bazilikat ishin godinat e kultit kristian, në të cilat mblidheshin besimtarët, prandaj këto do të quhen edhe EKLESI, emër që vjen nga greqishtja e do të thotë, mbledhje ose asamble. Edhe sot, ky emër përdoret nga të gjithë popujt p.sh., kishë, kieza (chiesa), çërç (church), egliz (eglise), etj.
Saraje pashallarësh në Elbasan, por kush ishte pashai?
Gjatë punimeve për restaurimin e rrugës “Thoma Kalefi” në qytetin e Elbasanit, në vitin 2013, u zbulua një segment muri, i cili shkonte paralel me rrugën në pjesën perëndimore të saj me orientim veri–jug. Segmenti i zbuluar ka një gjatësi rreth 70 m dhe një trashësi rreth 1m. Teknikisht është treguar punë e kujdesshme për ndërtimin e tij. Janë përdorur gurë lumi të punuar dhe lidhur me llaç të fortë. Nga gërmimet, vetëm nga pjesa veriore u arrit të shihej struktura e objektit deri në fundin e tij (në pjesën jugore nuk vazhduan gërmimet). Në këndin që krijojnë linjat e murit, zbulohet pjesërisht një kullë fortifikimi, në të cilën ruhen mirë frëngjitë për përdorimin e armëve të vogla të zjarrit. Kjo e dhënë e shfaqur dukshëm, u jep mundësinë specialistëve të orientohen për datimin e këtij objekti, por siç ndodh në kësi rastesh, të parët që flasin dhe hamendësojnë janë “kompetentët amatorë”. Kështu u tha se kemi të bëjmë me një rezidencë feudale paraturke dhe e lidhnin me principatat feudale të shekullit të XIV ose prej disave iu vu dhe emri “Kala e jeniçerëve”.