Mbi administrimin e Tokave të Liruara
Periudha ndërmjet dy Luftërave të mëdha Botërore, karakterizohet nga përpjekja e vazhdueshme e mbretërisë serbo-kroate-sllovene për të ndryshuar përkatësinë e këtyre trevave me mënyra nga më të ndryshmet.1 Ekzistonin plane shtetërore për shpërnguljen e popullsisë shqiptare nga këto treva dhe zëvendësimin e tyre me kolonë serbo-malazezë.2 Reforma agrare ishte një nga metodat që i shërbente më së miri kësaj politike, por qëndresa e shqiptarëve ishte e madhe dhe bëri që këto plane të dështonin duke mos u arritur sllavizimi i këtyre territoreve. Më pas shpërngulja e detyruar drejt Turqisë e popullsisë së Kosovës, me motivacionin që ishin turq të mbetur nga koha e Perandorisë Osmane, ishte një tjetër metodë.3 Pas firmosjes së marrëveshjes jugosllavo-turke, një numër i madh shqiptarësh u shpërngulën. Shqiptarët në periudhën e dy luftërave thuajse nuk gëzonin as të drejtat më minimale të një kombësie brenda një vendi, në bazë të atyre çka shprehte Lidhja e Kombeve.
Para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, më 7 prill 1939 Italia pushton zyrtarisht Shqipërinë. Me pushtimin e Shqipërisë italianët menjëherë vendosën një qeveri nën ndikimin e tyre. Tanimë Shqipëria ishte pjesë e Komunitetit Perandorak të Romës. Më 6 prill 1941 Gjermania dhe Italia pushtojnë Jugosllavinë. Kapitullimi i Jugosllavisë krijoi një gjendje të re në Ballkan edhe për trevat shqiptare që ishin brenda shtetit jugosllav. Ndarja e territoreve të Jugosllavisë midis Italisë, Gjermanisë dhe Bullgarisë solli bashkimin e zonës italiane të pushtimit me pjesën e pushtuar të Shqipërisë.
Procesi i punës on-line, hedhja e katalogëve
Përshkrimi i përgjithshëm i situatës së mbylljes së institucioneve të administratës publike me Vendim të Këshillit të Ministrave. Masat e marra nga DPA për vazhdimin e proceseve të punës nga shtëpia, konkretisht hedhja e katalogëve. Bashkëpunimi i punonjësve me njëri-tjetrin për problematika të ndryshme të dala të cilat nuk ishim ndeshur më parë. Asistenca e dhënë dhe vështirësitë e punonjësve të rinj të cilët nuk e njihnin sistemin. Problematika të ndryshme të dala gjatë procesit të punës (përsëritja e fondit dhe vitit me emër tjetër, tituj të gjatë në formë rendi dite, institucionet e shkruara shkurt, tituj të vështirë për t’u lexuar dhe verifikimi i tyre në fond). Përqasja e fondeve të vjetra dhe të mbyllura me sistemin, të cilat nuk kanë përdorur përpunimin tekniko-shkencor sipas modelit të AQSh-së, por kanë vepruar në mënyrë të pavarur (Komiteteve të Partisë së Rrethit, lista dhe nr. e fondit, titujt shumë të gjatë). Pasurimi i fondeve të institucioneve vendore (siç janë Komitetet Ekzekutive të Rretheve, Komitetet e Partive të Rretheve etj.), përbëjnë një element të shtuar në sistemin on-line të kërkimit të studiuesve pasi deri sot këtyre fondeve u qaseshin vetëm nëpërmjet inventarëve fizikë pranë sallës së studimit në DPA.