Qasjet gjithëpërfshirëse në edukim - Roli i partneritetit shkollë–familje në realizimin e aktiviteteve jashtëshkollore
Në qasjet bashkëkohore për edukim gjithëpërfshirës, partneriteti ndërmjet shkollës dhe familjes zë një vend thelbësor, veçanërisht në zhvillimin e aktiviteteve jashtëshkollore që mbështesin rritjen e gjithanshme të nxënësve. Aktivitetet jashtëshkollore – si projektet kreative, klubet tematike, ekskursionet dhe aktivitetet sportive – përbëjnë një mundësi të vlefshme për ndërtimin e aftësive sociale, emocionale dhe praktike te fëmijët, përtej përmbajtjes së kurrikulës formale. Ky punim mbështetet në një studim të thelluar cilësor të realizuar në dhjetë shkolla fillore publike në Kosovë, të përzgjedhura në mënyrë të balancuar nga mjedise urbane dhe rurale. Në qendër të hulumtimit qëndronin përvojat, perceptimet dhe praktikat e aktorëve kyç arsimor – mësuesve, prindërve, drejtorëve dhe koordinatorëve të cilësisë – lidhur me mënyrën se si ndërtohet dhe funksionon partneriteti shkollë–familje në kontekstin e aktiviteteve jashtëshkollore. Qëllimi i studimit ishte të shqyrtojë rolin e partneritetit shkollë–familje në funksionimin e suksesshëm të aktiviteteve jashtëshkollore. Përmes një metodologjie cilësore, me intervista gjysmë të strukturuara dhe analizë dokumentacioni, u vërejt se përfshirja aktive e prindërve në planifikim, mbështetje dhe pjesëmarrje kontribuon ndjeshëm në cilësinë dhe qëndrueshmërinë e këtyre aktiviteteve. Gjetjet theksojnë se kur partneriteti është i strukturuar dhe i vazhdueshëm, aktivitetet jashtëshkollore realizohen në mënyrë më efektive, duke ndikuar pozitivisht në përfshirjen dhe motivimin e nxënësve. Si përfundim, ky studim rekomandon fuqizimin institucional të këtij partneriteti si një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e arsimit gjithëpërfshirës gjatë gjithë jetës.
Bashkëpunimi prindër–mësues në zbatimin e aktiviteteve jashtëshkollore si pjesë e kurrikulës së zgjeruar
Zbatimi i kurrikulës nuk kufizohet vetëm në përmbajtjen mësimore, por kërkonndërlidhje me jetën reale përmes aktiviteteve jashtëshkollore dhe jashtëmësimore. Këto aktivitete janë të parashikuara në Kornizën e Kurrikulës së Kosovës si pjesë thelbësore për zhvillimin e kompetencave të përgjithshme të nxënësve, si komunikimi, puna në grup dhe përgjegjësia qytetare. Ky studim trajton rolin e partneritetit prindër–mësues në planifikimin dhe realizimin e aktiviteteve jashtëmësimore si pjesë e kurrikulës së zgjeruar. Në hulumtim janë përfshirë 500 pjesëmarrës – 250 mësues dhe 250 prindër – nga dhjetë shkolla fillore publike në Kosovë, të përzgjedhura nga zona urbane dhe rurale. Është aplikuar një qasje e kombinuar metodologjike, me pyetësorë të strukturuar për të dhëna sasiore dhe intervista gjysmë të strukturuara për pasurim cilësor. U analizua gjithashtu dokumentacioni shkollor mbi përfshirjen formale të aktiviteteve jashtëkurrikulare në kurrikulë. Gjetjet tregojnë se përfshirja aktive e prindërve në jetën shkollore, sidomos përmes aktiviteteve jashtëmësimore, forcon bashkëpunimin shkollë–familje dhe krijon një klimë mbështetëse për zbatimin efektiv të kurrikulës. Rekomandohet që shkollat të institucionalizojnë këtë partneritet dhe të shfrytëzojnë aktivitetet jashtëshkollore/jashtëmësimore si ura ndërmjet të nxënit dhe jetës reale.