Fuqitë e mëdha dhe perandoria Osmane në kohën e luftës së krimesë (1853-1856)
integritetin territorial të
Portës së Lartë, duke u përpjekur që këtë perandori ta nxiste edhe për t’u
reformuar. Perandori rus hapur ishte shprehur se, në rast të shpërbërjes së
Perandorisë Osmane, ai nuk do të lejonte që në Kostandinopojë të vendosej
pushteti britanik, ashtu siç nuk planifikonte që në kryeqendrën e vjetër
bizantine të vendosej vetë. Perandori rus, gjithashtu, kishte theksuar se në
rast se nuk arrihej një marrëveshje me Britaninë e Madhe për ndarjen e
kontrolluar të kësaj perandorie, atëherë mund të ndodhte që Rusia edhe ta
pushtonte Kostandinopojën. Pra, në një mënyrë apo tjetër, ky ishte një kërcënim
i Rusisë me qëllim të nxitjes së një marrëveshjeje me Londrën. Duhet
thënë se, sa i përket qëndrimit ndaj Rusisë dhe Perandorisë Osmane, paraprakisht
ishte arritur një pëlqim i plotë ndërmjet katër fuqive Evropiane:
Britanisë së Madhe, Francës, Prusisë dhe Austrisë. Londra dhe Parisi pajtoheshin
plotësisht rreth qëllimit të tyre të përbashkët, moslejimin e realizimit
të planeve ruse për shkatërrimin përfundimtar të Perandorisë Osmane. Sipas
këtij plani, Austria dhe Prusia nuk do të lejonin shpërthimin e luftës ndërmjet
koalicionit Anglo-Francez-Osman dhe Rusisë cariste. Mirëpo, edhe në
rast se do të vinte deri te kjo luftë, Vjena dhe Berlini nuk do të lejonin që
lufta e koalicionit kundër Rusisë të eskalonte në përmasat që do të prishnin
ekuilibrin e forcave në Evropë.
Shqiptarët nën Perandorinë Osmane gjatë dekadës së fundit të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX
Me Paqen e Karllovcit, të vitit 1699, si dhe me Traktatin e Kyçyk Kainarxhisë, të vitit 1774, kishte përfunduar epoka e ekspansionit territorial të Perandorisë Osmane dhe kishte filluar periudha e ndërhyrjes së vendeve evropiane për caktimin e fatit të mëtejmë të saj, në rend të parë të Perandorisë Habsburgase dhe të Rusisë cariste. Ndërkohë në zonat shqiptare nën Perandorinë Osmane ishte rënduar gjendja ekonomike e sociale e popullsisë dhe një faktor shtesë në përkeqësimin, sidomos të pozitës së fshatarit, ishte edhe procesi i përhapjes së pronës private-çifllëkut, duke shtuar kështu në kurriz të tij edhe taksat e jashtëligjshme. Rrjedhimisht një mundësi e vogël për punësim e kësaj popullate luftarake ishte hyrja në shër- bimet ushtarake, qoftë si vullnetar-mercenarë, qoftë në mënyrë të imponuar nga perandoria apo edhe nga feudalët e fuqishëm lokalë. Në anën tjetër, po në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, në hapësirat e banuara me shqiptarë u krijuan pashallëqe autonome, që vetëm formalisht i
nënshtroheshin sulltanit.