Vlerat e Bibliotekës Publike Qemal Baholli
Qyteti i Elbasanit është qytet me tradita të lashta kulturore e arsimore. Historia e këtij qyteti dëshmon ndër të tjera dhe për përpjekjet e gjata shekullore për kulturë e arsim, për ruajtjen e gjuhës amtare e identitetin kombëtar, për përparimin e vendit. Përpjekjet për shkrimin e shqipes në krahinën e Elbasanit kanë filluar në shekujt XVII-XVIII. Këto përpjekje lidhen me emrat e Theodhor Bogomilit, Dhaskal Todrit, Kostandin Kristoforidhit etj. Shpikja e shkrimit lindi nevojën për të ruajtur ato që shkruheshin, pra lindi idenë e krijimit të bibliotekave për ruajtjen dhe grumbullimin e këtyre shkrimeve. Këta gjuhëtarë si dhe shoqëritë patriotike të krijuara nga vitet 1908-1909 kishin bibliotekat e tyre. Shkolla Normale e themeluar në vitin 1909 kishte bibliotekën e saj të krijuar nga vetë mësuesit apo nxënësit e shkollës.
Të gjitha këto përpjekje për dije e kulturë të elbasanasve u kurorëzuan me aktin fisnik të familjes Baholli, që ngriti bibliotekën të cilën e kemi dhe sot pas 84 vjetësh. Në këtë 84-vjetor të saj ajo radhitet ndër bibliotekat e pasura të Shqipërisë e njohur për:
antikuarin,
orientalistikën,
vlerat e botimeve të vjetra e të reja, në formë libri si dhe
periodikun që ka në fondin e saj.
Një vend të rëndësishëm zënë botimet e viteve 1500-1800 me karakter historik, gjeografik e letrar.
Ndër vlerat që ka biblioteka, së pari do të doja të përmendja veprat e humanistëve të shquar shqiptarë, si Marin Barleti me “Historinë e
Skënderbeut”, Pjetër Bogdanin me “Çetën e Profetëve” për më tepër Pjetër Budin me “Doktrinën e Krishterë” të cilën ne e kemi botim të vitit 1664. Ky libër është botimi me datim më të hershëm në gjuhën shqipe që ndodhet në bibliotekën tonë. Këto vepra përbëjnë vlera madhore të pasurisë sonë kulturore kombëtare popullore.