Risi në konceptualizimin e sistemit rasor të gjuhës shqipe
Ndër pyetjet/çështjet që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë objekt diskutimi dhe kërkimi shkencor në lidhje me sistemin rasor të gjuhës shqipe mund të
renditen: (i) kemi praninë e rasës gjinore apo të asaj dhanore në gjuhën shqipe (?); (ii) a kemi rasë rrjedhore në gjuhën shqipe (?); (iii) a ka rasë vendore gjuha
shqipe (?); (iv) a ka rasë thirrore gjuha shqipe (?). Çështjet (iii) dhe (iv) kanë marrë një përgjigje “përfundimtare” mohuese, e cila është pranuar dhe pasqyruar
edhe në gramatikat më të fundit: në sistemin rasor të gjuhës shqipe nuk janë të pranishme as thirrorja dhe as vendorja.1 Duke qenë çështje të tejkaluara, në
këtë punim atyre nuk do t’u kushtohet vend. Çështje e diskutueshme vazhdon të mbetet ende nëse duhet pranuar rasa dhanore dhe jo ajo gjinore apo
rrjedhore, apo nëse duhet pranuar gjinorja në vend të dhanores e rrjedhores. Në vend të pyetjes, nëse ka apo jo gjinore shqipja, me të drejtë Përnaska (2003)
rivendoste si pyetje qendrore për sistemin rasor të shqipes atë të shtruar nga Agalliu (1980): “Sa rasa ka në gjuhën shqipe?”, pasi dhënia përgjigje kësaj
pyetjeje përfshin edhe qëndrimin në lidhje me rasën gjinore, dhanore e rrjedhore. Jo vetëm kaq, por përpjekja për një përgjigje të motivuar kërkon
domosdoshmërisht edhe një ridimensionim të këndvështrimit teorik ndaj konceptit gramatikor të rasës, mbi bazën e të cilit të mund të përcaktohet gjendja
e sistemit rasor të shqipes së sotme.