“Doktor Gjëlpëra” dhe gazeta “Dielli”, lexime të kryqëzuara
Në një mënyrë të pazakontë për letrat shqipe, proza e Konicës Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit, kujton që në titull një ngjarje reale historike, vrasjen e dy shtetasve amerikanë në Mamurras, më 6 prill 1924. Në literaturën studimore ka pasur mjaft diskutime në rrjedhë të kohës përsa i takon zhanrit të veprës, ndërsa thuajse në të gjitha rastet studimet konvergojnë në cilësimin e saj si vepër e pa përfunduar. Por çështja nëse vepra është ose jo e përfunduar mbetet të jetë pjesë e diskutimit, kjo për një varg arsyesh, ndër më kryesoret është nevoja e mbështetjes në leximin paralel të saj dhe të artikujve joletrarë të gazetës “Dielli”.
E parë në një vështrim izolacionist, jashtë konteksteve, Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit, fokusohet në personazhin misionar në shkallë të dyfishtë, si individ dhe si mjek. Mjekësia në vetvete është mision për individin që i përkushtohet, në të njëjtën kohë rrafshi i drejtpërdrejtë me atë figurativ e ka mundësinë të ndërthuret mjaft natyrshëm përmes figurës së mjekut. Në aspektin e personazhit misionar, kjo vepër paraprin personazhet e letërsisë së fundit të 1920-ës dhe viteve ’30, që do të kenë qëllime madhore, mjaft të rëndësishme për të ndikuar në emancipimin e popullit, në përballjen me mentalitetin primitiv e frymën arkaike.
Lidhjen mes ngjarjes së Mamurrasit dhe figurës së “doktor Gjëlpërës”, apo mes Konicës publicist dhe atij shkrimtar e gjejmë në shtyllat e gazetës “Dielli”. Nga muaji prill deri në dhjetor 1924 Konica do të shkruajë në mënyrë të përsëritur për këtë ngjarje, duke akuzuar, duke shprehur protestën e tij. Po ashtu, angazhimi i dyfishtë i Konicës për të ndikuar sa më shumë të jetë e mundur përmes gjuhës së publicistikës dhe të tekstit letrar, bën që realja dhe simbolikja t’i kenë kufijtë vështirë të përcaktueshëm, në mënyrë të veçantë gjatë prill-majit të 1924-ës. Kjo sepse paralelisht me kuptimin e drejtpërdrejtë që ka platforma e Gjëlpërës mbi edukimin shëndetësor, shëndeti në kuptim simbolik nënkupton mentalitetin progresiv, pozitiv perëndimor dhe sëmundja prapambetjen. Diagnoza shihet si domosdoshmëri për shërim e po ashtu theksi i vihet parandalimit, jo shërimit, shkakut jo pasojës. Si strukturë ndërtimi e veprës dallohet qartë bashkimi, ndërthurja e një tregimi për individin misionar, për mjekësinë e vërtetë, jo abuzive e sharlatane dhe i një tjetri që lidhet me jetën shqiptare të kohës, mënyrën se si organizohet jeta dhe mentaliteti njerëzve. Leximet e kryqëzuara mes prozës letrare dhe publicistikës ngrenë pashmangshëm hipotezat e mëposhtme: ose vepra është shkruar në një periudhë më të hershme se prilli i 1924-ës, dhe titulli është vendosur pikërisht në prillin e 1924-ës, ose në periudhën e prillit është shkruar jo e gjithë proza, por pjesë të saj që i ndihmojnë unifikimit të veprës me titullin, në mënyrë të veçantë pjesa e Kamorrës.