Procesi i aneksimit të Kosovës nga Serbia në vitin 1945: Konteksti historik politik dhe juridik
Ky studim trajton në mënyrë të gjithanshme procesin e aneksimit të Kosovës nga Serbia, i cili u konkretizua përmes Mbledhjes së Dytë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Metohisë, të njohur si Kuvendi i Prizrenit (8–10 korrik 1945). Ky kuvend, i organizuar në një klimë të tensionuar politike dhe nën kontroll të drejtpërdrejtë të administratës ushtarake jugosllave, përfaqëson një nga momentet më përcaktuese në historinë politike të Kosovës gjatë shekullit XX. Delegatët e përzgjedhur sipas kritereve strikte politike, prania e forcave të armatosura dhe mungesa e garancive demokratike e bënë të pamundur shprehjen e lirë të vullnetit popullor. Në këto rrethana u miratua një rezolutë e përgatitur paraprakisht në Beograd, e cila sanksiononte bashkimin e Kosovës me Republikën Popullore të Serbisë, duke anashkaluar tërësisht të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje. Ky akt ishte në kundërshtim të hapur me Rezolutën e Konferencës së Bujanit e cila njihte qartë të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë pas luftës. Në Kuvendin e Prizrenit u krijua “Gjyqi Popullor i Krahinës”, një organ represiv i cili synonte ndëshkimin e kundërshtarëve politikë dhe të aktivistëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare. Ky gjyq shqiptoi dënime të rënda politike, duke goditur çdo formë rezistence ndaj pushtetit të ri jugosllav. Ligjet e miratuara në gusht dhe shtator të vitit 1945 e institucionalizuan aneksimin, duke e përcaktuar Kosovën si “Qark Autonom i Kosovës dhe Metohisë” brenda Serbisë, me kompetenca të kufizuara, me mungesë të theksuar autonomie reale dhe me humbje të mëtejshme territoriale në disa zona me shumicë shqiptare. Studimi është ndërtuar jo vetëm në zhvillimet e vitit 1945, por duke e vendosur procesin e aneksimit në një vijimësi historike më të gjatë.
Gjendja politike në Mitrovicë, Kolashin, Pazar tëRi dhe Pejë sipas kryetarit të Komitetit të Kosovës, Bedri Pejanit (27 janar 1942)
Ky studim bazohet në një analizë të hartuar më 27 janar 1942 nga kryetari i Komitetit të Kosovës, Bedri Pejani. Dokumenti ndodhet në Arkivin Qendror Shtetëror të Republikës së Shqipërisë, në Fondin e Ministrisë së Tokave të Liruara. Në këtë dokument analizohet gjendja politike, etnike dhe sociale në Mitrovicë, Kolashin, Pazar të Ri dhe Pejë. Në këtë analizë jepen të dhëna të rëndësishme për situatën politike, demografike dhe sociale në këto zona. Analiza ofron një pasqyrë të detajuar të popullsisë dhe ndarjes etnike në rajone të ndryshme, duke identifikuar sfidat dhe problemet kryesore me të cilat përballeshin banorët. Në analizë theksohen tensionet politike dhe etnike, përfshirë marrëdhëniet midis komuniteteve të ndryshme dhe ndikimin e tyre në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Në pjesën e parë trajtohen divergjencat lokale dhe ndëretnike në rajonin e Mitrovicës si dhe roli i Lidhjes Popullore në këtë kohë. Në vijim, pjesa e dytë fokusohet në çështjen e Kolashinit, duke diskutuar sfidat dhe tensionet në këtë zonë. Pjesa e tretë trajton gjithashtu çështjet në Kolashin dhe Pazar të Ri. Në pjesën e katërt, analizohen shtatë katundet e Pejës dhe propozimet për shkëmbime të popullsisë. Analiza ofron një pasqyrë të detajuar të ndarjes etnike dhe problematikave të ndryshme që përjetonin banorët në ato zona, duke adresuar tensionet politike dhe etnike si dhe ndikimin e tyre në stabilitetin rajonal. Ky studim është një burim i vlefshëm për të kuptuar dinamikën komplekse të rajonit të Kosovës në periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe për t’i analizuar sfidat me të cilat përballeshin liderët lokalë dhe komunitetet në atë kohë. Përmes kësaj analize mund të kuptojmë problematikat e ndarjes etnike dhe tensionet politike dhe sociale në rajon, duke sjellë një kuptim të thellë të dinamikës së kohës së Luftës së Dytë Botërore në Kosovë.
Shkodran Imeraj, “MASAKRA E FORCAVE SERBE NË PASTASEL
TË RAHOVECIT (31 MARS 1999)” Institutit të Historisë “Ali Hadri”
Prishtinë, 2023, f. 314.
Shqipëria dhe Turqia 1912-1939, nga ndarja drejt miqësisë
Organizimi shtetëror nën udhëheqjen e Rexhep Mitrovicës (5 nëntor 1943 - 16 qershor 1944)
Punimi ka në trajtesë qeverisjen e Rexhep Mitrovicës nën udhëheqjen e shtetit gjerman. Si i tillë punimi është i bazuar në burime arkivore që dokumenton qeverisjen Mitrovica, gjithashtu punimi është mbështetur dhe në rezultatet e historiografisë shqiptare dhe asaj të huaj. Në këtë punim hidhet dritë mbi në dy rrafshe të qeverisjes së Rexhep Mitrovicës: në rrafshin e organizimit të brendshëm dhe në organizimin e jashtëm të shtetit. Por, natyrisht krahas trajtimit të qeverisë Mitrovica, kemi
përfshirë edhe rrethanat e përgjithshme të çështjes shqiptare në atë periudhë kohore.