Provinca e Plavës mes viteve 1280 – 1620
Në raport me territorin, strukturën shoqërore dhe njësitë e populluara të Plavës, për sa i takon kohës mesjetare dhe decenieve të para të sundimit osman, në shkencë duket se ka një deficit punimesh. Deri tani, krahina nuk i është nënshtruar një kërkimi të imët që për synim do të kishte eksplorimin e burimeve materiale dhe studimin e materialit arkivor, që do të krijonin terren adekuat për një interpretim më të avancuar në kontekstin historik. Megjithatë, sipas të dhënave ekzistuese, përfshirë kartat e shoqërisë feudale serbe, përmbledhjet administrative osmane, relacionet apo korrespodencën e kohës, rrëfimet nga kujtesa kolektive dhe shembujve nga disiplina e toponimisë, duket se edhe në këto rrethana mund të shtrohet një histori e shkurtër e zonës. Në këtë kontekst, si rezultat i këtij studimi, duket se krahina e Plavës nënkupton një territor, i cili, ndonëse përfiton rëndësi politike vetëm nga pjesa fundore e mesjetës, më pas karakterizohet me zhvillime mjaft dinamike, sikurse në rrafshin politik ashtu edhe kundrejt demografisë. Ndërkohë, për sa i takon konfiguracionit etnik, deri në shekullin XV, duket si mjedis mjaft divers ku shoqëria parasllave, konkretisht vllahe dhe shqiptare, shfaqet mjaft konkurruese, për më tepër mund ta ketë dominuar zonën. Mirëpo, me kalimin e kohës, në saje të presionit politik dhe fetar, kjo shtresë ka shans të jetë nisur drejt serbizimit, një proces i cili nuk dihet se deri në çfarë mase është kompletuar, pasiqë në pjesën e dytë të shekullit XVII gravitojnë kolektivisht drejt territoreve tjera, pa arritur të kuptohet habitati i ri i tyre.
Emrat e shqiptarëve gjatë shekujve XIII-XVI
Ky punim trajton emrat e përdorur përbrenda bashkësisë etnike shqiptare në periudhën mes shekujve XIII-XVI, të cilët shfaqen në shkrimet e vjetra dhe sidomos në regjistrat e popullsisë dhe të pronës. Përbrenda vëllimit pasqyrohet fillimisht lloji dhe shtrirja e emrave autentikë, pjesa më e madhe e të cilëve nuk kishin karakter lokal, por ndeshen pothuajse në të gjithë territorin e populluar nga shqiptarët. Diskutimi mbi emrat e krishterë është po ashtu pjesë e punimit. Emrat e kësaj natyre janë ndarë në dy grupime: të formës së njëjtë me popujt e tjerë ballkanikë dhe të llojit që janë trajtuar nga shqipja, që nuk shfaqen si të tillë në kulturën e popujve të tjerë përreth. Dy kapitujt e fundit kanë të bëjnë me emrat e natyrës osmano-islame, përdorimi i të cilëve fillon me stabilizimin e autori-
teteve osmane pas pushtimit dhe me emrat femërorë që janë gjetur përgjatë hulumtimit.