Selvitë e elbasanit sipas artistëve të huaj
Deri nga fundi i viteve ’70 të shekullit të kaluar, banorët e Elbasanit, si dhe udhëtarët që vinin nga krahina apo vende të tjera, vështronin thuajse çdo ditë, disa selvi të larta dhe shumë të lashta, në pjesën jugore të qendrës së qytetit, drejt rrugës për në Cërrik. Pemët kishin krijuar imazhin e një qendre çlodhëse. Shumë vite më parë, kur ishin më të gjelbëruara, rreth tyre grumbulloheshin, takoheshin dhe argëtoheshin njerëz të moshave të ndryshme. Aty kryheshin po ashtu edhe rite fetare. Më pas, ky mjedis i gjelbëruar, për disa kohë, u bë kamp sportiv, ndërsa vitet e fundit u vendos tregu i lirë për prodhimet nga fshati. Tani në atë vend nuk zhvillohet asnjë lloj veprimtarie dhe nuk ekziston më asnjë prej atyre selvive të larta. Imazhet e tyre kanë mbetur vetëm në kujtesën e banorëve më të moshuar si dhe në pak fotografi, thuajse të rastësishme. Ata drurë të lartë dikur quheshin Selvitë e Namazgjasë.
Ky monument i bukur natyror, një nga më të rrallët dhe më të veçantët në zonën e Elbasanit, është përmendur nga të huajt që para tre shekujsh. Turku Evlia Çelebi, gjatë udhëtimit të tij nëpër trojet shqiptare, në vitin 1662 e përshkruan këtë mjedis pemësh të larta në Sejjhatnamesi-n e tij (Përmbledhja “Udhëtimet”, botuar në Stamboll në vitin 1902), si një bukuri e rrallë ku lëndina që bleron si kadife është e rrethuar me 57 selvi të mëdha e të bukura. Sipas këtij përshkrimi, kuptohet se Selvitë në vitin 1662 ishin në kulmin e lulëzimit të tyre (të mëdha dhe të bukura). Me siguri kanë qenë mbjellë shumë vite më parë se të kalonte turisti turk.
Pas një periudhe të gjatë, prej më se dy shekujsh, selvitë e Elbasanit paraqiten përsëri me madhështi për hijeshinë e tyre, nga një udhëtar tjetër i huaj. Përshkrimi është bërë sipas një lloji tjetër; me gjuhën e pikturës. Në vitin 1917, artisti vjenez Ludvig Hesshaimer (1872-1956), ka krijuar një nga tablotë më të bukura me këtë motiv. Selvitë e Elbasanit jepen nga një këndvështrim i atillë, ku majat e larta dhe të drejta, në pjesën e sipërme krijojnë një hapësirë në formë rrethore që bën të duket bukur qielli i ndriçuar nga yjet e një mbrëmjeje verore.