Presioni serb për asimilimin e Shqiptarëve ortodoksë (shek. xix deri në vitin 1913)
Gjatë shek. XIX te popujt e Ballkanit lindën
dhe u zhvilluan lëvizjet nacionaliste. Këto lëvizje u shoqëruan me përpjekjet
për pushtimin e territoreve të banuara nga popullsia e huaj, e që në atë kohë
ishin ende pjesë e Perandorisë Osmane. Synimet për pushtimin e territoreve
shqiptare nga ana e shteteve ballkanike, bënë që këto shtete të angazhoheshin
maksimalisht për të ndryshuar strukturën etnike të territoreve të
pretenduara. Në këtë kuadër, nëpërmjet kishës dhe të shkollës ato zhvilluan
propagandë të dendur në tokat shqiptare. Propaganda e vendeve të Ballkanit
u favorizua edhe nga qëndrimi i Portës së Lartë për të mos njohur ekzistencën
e kombit shqiptar. Moslejimi i hapjes së shkollave në gjuhën shqipe,
mosnjohja e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare u bë pengesë në
procesin e ndërgjegjësimit kombëtar të shqiptarëve, çka krijoi terren të
përshtatshëm për realizimin e synimeve serbe për ta paraqitur popullsinë
ortodokse shqiptare, të viseve të sipërme shqiptare, si popullsi serbe. Qeveria
serbe fillimisht nëpërmjet kishës dhe shkollës dhe më vonë duke
përdorur dhunën arriti ta serbizonte një pjesë të mirë të popullsisë shqiptare
ortodokse. Secili që i takonte fesë ortodokse automatikisht konsiderohej nga
ata si serb.