EN

Ermal Nurja

7
artikuj
2
revista
2018–2021
Revista: Revista Albanon Studime Filologjike

Artikuj (7)

Sanxhaku i Dukagjinit dhe dy regjistrimet e viteve 1571 dhe 1591 (pjesa e dytë)
Në këtë artikull do të vazhdohet me pjesën tjetër të kazave që formonin sanxhakun e Dukagjinit në dy regjistrimet osmane të viteve 1571 dhe 1591. Kazatë në fjalë pas vitit 1912 do të mbeteshin mes shteteve të reja të formuara me vendimin e Fuqive të Mëdha. Sot fshatrat që formonin kazatë në fjalë të sanxhakut të Dukagjinit, gjenden brenda kufijve të republikave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Nga 15 kazatë që formonin sanxhakun e Dukagjinit, në këtë artikull do të trajtohen të dhënat për shtatë kaza që janë: Rudina, Domoshtica, Pashtrik, Luma, Gora, Opolja (Opoja) dhe Dabri. Së pari do të jepen të dhënat e procesit të islamizmit në këto kaza, sipas dy regjistrimeve osmane. Te lista me banorët e kazave janë vënë edhe timarlinjtë që përfitonin nga të ardhurat e taksave të fshatrave. Emri i parë është personi, ndërsa emri i dytë është atësia e tij. Në listat e hartuara, të dhënat e lagjeve që ekzistonin brenda një fshati janë përllogaritur dhe janë dhënë në formë totali me fshatin nga i cili vareshin në planin administrativ.
Regjistri i Trikallës i vitit 1455 dhe të dhëna për historinë shqiptare dhe shqiptarët
Në vitin 1455 sulltan Mehmeti i II, duhet të ketë urdhëruar një regjistrim të timareve në gjithë Perandorinë Osmane. Nuk ka mbërritur asnjë shkresë e kohës që vërteton urdhrin e sulltanit, por fakti që një numër i madh regjistrash që kanë mbërritur në ditët e sotme mbajnë këtë datë, pra vitin 1455, vërteton që sekretaria e timareve të ketë hartuar një regjistrim të tillë. Regjistra të tillë kanë mbërritur për Rumelinë edhe për Anadollin. Regjistrimi në vitin 1455 ka edhe një logjikë të re. Tashmë në duart e osmanëve kishte rënë Kostandinopoja, për marrjen e së cilës ishin mobilizuar të gjitha forcat ushtarake; tashmë perandoria do të kishte një kryeqytet të ri, prandaj regjistrimi do të hidhte dritë mbi statistikën e fundit të perandorisë. Një nga regjistrat e vitit 1455 është edhe regjistri i sanxhakut të Trikallës (Tırhala sancağı). Regjistri ruhet në Arkivin Osman në Stamboll (BOA), në fondin MAD nën numrin 10.
Sanxhaku i Dukagjinit dhe dy regjistrimet e viteve 1571 dhe 1591 (pjesa e parë)
Sanxhaku i Dukagjinit ishte një ndër sanxhaqet që formonin vilajetin e Rumelisë gjatë periudhës së sundimit klasik osman. Rumelija ishte një nga dy nënndarjet e mëdha administrative të Perandorisë Osmane, që bashkë me Vilajetin e Anadollit lindën dhe u zhdukën së bashku me Perandorinë (në periudha të caktuara të historisë osmane ka pasur edhe nëndarje të tjera të mëdha siç qe ajo e Hixhazit dhe e Afrikës Veriore që qenë më jetëshkurtra). Në lidhje me themelimin e sanxhakut të Dukagjinit janë përcaktuar nga historianët dhe studiuesit data të ndryshme, në varësi të dokumentacioneve historike që ata kanë pasur në dispozicion. Gjithashtu nuk mund të anashkalohet mundësia që sanxhaku të ketë ekzistuar në periudha të ndryshme, mes të cilave edhe nëse de jure ka ekzistuar, de facto pushteti osman nuk ka ekzistuar. Duke pasur parasysh këtë fakt mund të themi se data e dokumentuar e themelimit të parë të Sanxhakut të Dukagjinit është viti 1436.1 Kjo datë e dokumentuar na lejon të krijojmë hipotezën se Sanxhaku i Dukagjinit së bashku me pjesën tjetër të Sanxhakut Arvanid duhet të jetë krijuar gjatë sundimit të sulltan Mehmetit I, pas viteve 1415. Me shumë gjasa treva e Dukagjinit, më saktë një pjesë e saj u përfshi në mosbindjen e përgjithshme që filloi me kryengritjen e Skënderbeut pas vitit 1444. Mjafton të kujtojmë se regjistruesit e regjistrit të Sanxhakut të Dukagjinit kazanë e Spasit, Pukës dhe Iballës i kanë regjistruar edhe me emrat Pulti i Lekës, ndërsa në një rast e kanë regjistruar në formën Pulti i Lekë Zaharisë. 
Një regjistër osman i viteve 1845-1846 në Arkivin Osman të Stambollit dhe një statistikë e pajtimeve të gjaqeve në Toskëri
Në periudhën klasike osmane (shek. XV deri në shpalljen e Tanzimatit në fillimet e shek. XIX), sigurimi i rendit dhe sigurisë në një kaza,1 ishte detyrë e sanxhakbeut të sanxhakut2 nga vareshin kazatë në fjalë. Kjo ishte detyrë e tij, pasi në llogarinë e tij shkonte edhe taksa e krimeve dhe vrasjeve [resm-i cürm- ü-cinayet (resm-i xhyrm ve xhinajet)] që mblidhej nga banorët e sanxhakut. Shtimi i akteve penale në një sanxhak mund të shkaktonte largimin e tij nga detyra prej sulltanit; në raste kur anarkia kthehej në një shqetësim të madh me pasoja, pra në raste ekstreme, edhe ekzekutimin e tij. Në raste vrasjesh, në gjyq paraqitej vojvoda i sanxhakbeut, i cili kërkonte nga gjyqi zbardhjen e akteve të vrasjeve apo plagosjeve të rënda dhe marrjen e një vendimi nga gjykatësi me këtë rast.   Pas shpalljesh së Tanzimatit, e gjithë administrata ushtarake, civile, fetare, financiare dhe ajo administrative kaluan një reformë të thellë sipas modelit francez. Si pjesë e kësaj reforme u parashikua edhe pajtimi i gjaqeve nëpër gjithë hapësirat e Perandorisë Osmane. Kjo politikë në Shqipëri do të vazhdonte deri në fund të sundimit osman, në vitin 1912. Gjatë hulumtimeve në Arkivin Osman të Stambollit konstatova një shënim arkivor në një nga katalogët e arkivit që mbante titullin Çështjet në Gegëri. Regjistri në fjalë gjendej i katalogizuar nën referencën arkivore BEO, Ayn.d, No. 1716 (Fondi Porta e Lartë, pra Qeveria Osmane). Në të vërtetë fleta e prerë në formë të rrumbullakët dhe e ngjitur nga arkivistët osmanë
Administrata lokale dhe demografia e kazasë së Elbasanit, sipas vjetarëve të Manastirit, për periudhën 1888-1896
Fryma e re reformatore mbi të cilën u ngrit riorganizimi i shtetit osman, pas shpalljes së Tanzimatit, mes të tjerash do të ndikonte pa dyshim edhe në botën e botimeve (gazeta, revista, libra, kalendarë). Vjetari i parë u botua në vitin 1263 (1847) dhe ishte vjetari statistikor i Perandorisë Osmane. Ky botim u ndoq me kureshtje në perëndim, prandaj edhe statistika e parë e Perandorisë Osmane, u përkthye në frëngjisht dhe u botua menjëherë nga Bianchi në formë fashikujsh në revistën Journal asiatique, për t’u botuar më pas në vitin 1848, në formën e një libri nën titullin “Le premier annuaire imperial de l’Empire ottoman au tableau de l’etat politique, civil, militaire, juridiciaire et administratif de la Turquie” (Paris 1848). Përveç vjetarëve shtetërore dhe atyre private edhe pushteti lokal, në rang vilajeti botuan vjetarët e tyre. Deri më sot, kanë mbërritur 504 vjetarë të vilajete të ndryshme të ish-Perandorisë Osmane. Për trevat tona shqiptare, ne deri më sot njohim 7 vjetarë të vilajetit të Manastirit, 8 vjetarë të vilajetit të Kosovës, 5 vjetarë të vilajetit të Shkodrës, 8 vjetarë të vilajetit të Janinës dhe 2 vjetarë të vilajetit të Prizrenit. Në këtë artikull, ne jemi bazuar vetëm te shtatë vjetarët osmanë që u hartuan pas ndarjes së fundit administrative në vilajetin e madh të Rumelisë, si rezultat i së cilës, Elbasani u shndërrua në qendër sanxhaku nën varësinë administrative të vilajetit të Manastirit. Në hartimin e tabelave janë përdorur numrat romakë për të dalluar vjetarët njërin nga tjetri. Shkurtimisht, të dhënat për sanxhakun e Elbasanit, në secilin prej vjetarëve, gjendet më poshtë:
Elbasani në regjistrimet osmane të viteve 1431, 1468, 1530 dhe 1568
Periudha e sundimit osman në trevat shqiptare, në Ballkan, në përgjithësi dhe ajo në Shqipëri, në veçanti, mbetet ende një periudhë, për të cilën dokumentacioni kohor duhet zbardhur në mënyrë që të kuptohen më mirë jo vetëm historia politike, por edhe ajo ekonomike, sociale, demografike brenda së cilës janë të ngërthyer një sërë faktesh që kanë të bëjnë drejtpërdrejt ose tërthorë me zhvillimin e kombit shqiptar. Dy ishin shenjat e vendosjes së sundimit osman në një trevë, caktimi i një kadiu si përfaqësues dhe zbatues i ligjit osman dhe aplikimi i sistemit të timareve në atë trevë. Shtrirja osmane kryhej së pari në zonat mes luginave dhe zonat fushore, ku rezistenca ishte e dobët për shkak të pozitës gjeografike dhe për faktin se aty gjendeshin dhe tokat bujqësore nga ku mund të mblidhej prodhimi bujqësor për t’u taksuar. Zonat malore nuk ishin në fokusin e shtrirjes së parë osmane, ndërkohë që kalatë dhe grykat e rëndësishme malore për komunikimin rajonal përfshiheshin në interesin e pushtimit në fazën e dytë. Për grykat e rëndësishme të kalimit mes zonave malore (dervenet) osmanët përdornin politikën e faljes së taksave për popullsinë vendase kundrejt shërbimit të tyre për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në ato pika. Meqë dokumentet osmane në Shqipëri janë shkatërruar me kalimin e kohës, Arkivi Osman i Stambollit paraqet rëndësi të dorës së parë për të dhëna historike që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Për shkak të hapësirës së këtij artikulli, do të mjaftohemi duke prezantuar në mënyrë të përmbledhur të dhënat që gjenden në katër regjistra tahrir që ruhen në Arkivin Osman të Stambollit, sidomos të dhënat historike që kanë të bëjnë me historinë e qytetit dhe sanxhakut të Elbasanit.