Rregulla drejtshkrimore që i ka shkelur koha
Në përcaktimin e rregullave të drejtshkrimit të shqipes, po ashtu edhe të përjashtimeve nga rregullat, është marrë parasysh dendur ecuria e praktikës gjuhësore. Disa çështje për të cilat nuk ka pasur rregulla unike, janë njësuar më parë në praktikë dhe janë sanksionuar më pas në kodin e drejtshkrimit, p.sh. njësimi i shkrimit të bashkëtingëlloreve të zëshme fundore, d.m.th. mënjanimi i trajtave si zok, gjemp, oris, zoq etj. (që mund të përdoreshin paralelisht me zog, gjemb, oriz, zogj) u arrit më parë në praktikën e gjuhës së shkruar e pastaj u sanksionua si rregull (më 1956). Vetë autorët e projektit të drejtshkrimit të vitit 1951 pohojnë se “duke u shkruar gjuha e duke u përdorur si mjet kulture e marrëdhëniesh shoqërore, ka marrë një rrugë të mbarë në punë të zhvillimit e unifikimit të saj, janë kristalizuar thuajse pakuptueshëm disa rregulla ...”. Ky vëzhgim i atëhershëm vlen edhe për kohën tonë. Praktika gjuhësore sidomos nga fundi i shekullit të shkuar e deri sot tregon se dy-tri rregulla të kodit drejtshkrimor të vitit 1973 (dhe ndonjë përjashtim) duhen riformuluar, duke marrë parasysh përdorimin e sotshëm në gjuhën e shkrimit. Në këtë artikull bëhet fjalë për disa rregulla drejtshkrimore që praktika i ka tejkaluar dhe propozohet përditësimi i tyre.
Shqipja letrare si koine mbidialektore
Në artikull diskutohet teza e prof. A. Kostallarit se shqipja standarde përfaqëson një koine letrare sui generis dhe jo një varietet letrar që në rrethana të caktuara mori funksionet e gjuhës standarde. Autori pajtohet me këtë pikëpamje dhe përpiqet ta argumentojë më tej duke marrë në shqyrtim rrethanat jashtëgjuhësore (historike, fetare, arsimore-kulturore) dhe rrethanat gjuhësore që kanë përcaktuar ecurinë e zhvillimit të shqipes letrare. Lidhur me mbështetjen e shqipes standarde mbi variantin letrar të toskërishtes autori vlerëson dy arsye kryesore: nga njëra anë, një afri më e madhe e brendshme e të folmeve të saj (sidomos të toskërishtes së mirëfilltë), dhe nga ana tjetër, një epërsi e theksuar e trevave jugore nga pikëpamja e gjendjes kulturore-arsimore, që pati si pasojë edhe epërsinë e atyre trevave në jetën politike e intelektuale. Shqipja e sotme standarde përfaqëson një zhvillim organik të koinesë letrare toske, e cila përthithi elemente të rëndësishme heterodialektore, veçanërisht në vitet ’50–’60, duke u shndërruar nga një koine brenda dialektit të jugut, në një koine me elemente edhe prej dialektit të veriut.