Shën Eleuterius, Durrësi dhe etnonimi “shqiptar”
Artikulli analizon lidhjen Durrësit me Shën Eleuterius sipas dorëshkrimeve “Rrëfime për 12 të Premtet” në sllavishte të hershme. Toponimi i qytetit ku ka ndodhur një debat mes shenjtit dhe një Hebreu jepet “Šeptail” (çereku tretë shek. XIII) ose “Drač” (shek. XIV). Rrënja e toponimit mendohet se ka qenë /š/-/p/-/t/-/l/. Një propozim për leximin e saj identifikon etnonimin “shqiptarë” sipas versionit sllav “šiptar”. Përmendja e Durrësit në dorëshkrimet fetare sllave lidhet me pozicionin kyç që ai zinte në përhapjen e krishterimit ndër sllavë që nga fundi i antikitetit të vonë. Falë këtij pozicioni gjen shpjegim edhe përdorimi i mundshëm i etnonimit “shqiptar” ose i rrënjës së fjalës prej së cilës mund të jetë krijuar më pas etnonimi. Përdorimi i toponimeve apo etnonimeve të lidhura me shqiptarët duket se kishte rolin e një garancie besueshmërie për dëgjuesit sllavë: “përderisa ngjarja kishte ndodhur në Durrës / në qytetin e atyre që dinin/ flisnin shqip, me siguri që ishte e vërtetë e duhej besuar”.