KËNGË ARUMUNE TË DRENOVËS
Aromanian Songs from Drenova/Këngë arumune të Drenovës, është një album në CD, i përgatitur nga Josif Minga dhe Mikaela Minga dhe i publikuar nga botuesi Squilibri me qendër në Romë/Itali. Albumi dokumenton një praktikë ekspresive siç është ajo e këndimit shumëzërësh të komunitetit vlleh ose arumun të zonës së Drenovës, në afërsi të Korçës dhe përmban shtatëmbëdhjetë njësi. Nga këto, vetëm një është instrumentale, e titulluar Valle e kapedan Ilias, ndërsa të tjerat janë këngë të kënduara sipas praktikës tradicionale; në mënyrë pastërtisht vokale, me një marrës që udhëheq fillin muzikor, një prerës që i përgjigjet atij në mënyrë dialoguese, dhe një grup që mban ison, zërin e mbajtur në formë pedali, që përbën themelin tonal mbi të cilin mbështetet e gjithë ngrehina muzikore.
Administrimi shtetëror i këngës tradicionale qytetare shkodrane gjatë periudhës socialiste
Periudha e socializmit shtetëror në Shqipëri shënon një nga fazat e ndryshimeve më të thella në fushën e muzikës tradicionale dhe, veçanërisht, në atë të këngës tradicionale qytetare. Me gjithë interesin studimor që paraqesin, futja e saj nën administrim shtetëror dhe ndërhyrja me kritere ideologjike nuk janë bërë ende objekt studimi në masë të mjaftueshme. Ky punim synon të hedhë një hap në këtë drejtim, duke marrë si rast këngën qytetare shkodrane. Fillimisht ravijëzohet një skicë e politikave kulturore socialiste në lidhje me folklorin dhe muzikën tradicionale, për t’u thelluar pastaj më tej në qëndrimin specifik kundrejt këngës qytetare. Pas një periodizimi në tri faza relativisht të dallueshme të qëndrimeve në këtë drejtim, kalohet në analizën konkrete të punës kulturore me këngën tradicionale, duke u përqendruar në dy proceset që qëndronin në themel të filtrimit ose përpunimit, të cilit iu nënshtrua tradita: seleksionimi dhe aktualizimi. Meqenëse ishte e pamundur të instrumentalizohej drejtpërdrejt pa ia shpërfytyruar stilin, repertori tradicional u sanitarizua politikisht duke u zhveshur nga dimensioni metafizik, duke u pastruar nga “armiqtë klasorë” apo edhe duke iu “moderuar” emocionaliteti. Nga ana tjetër, figura tipike dhe të kudogjendura të repertorit, si lulja, bilbili apo pranvera ishin shumë të volitshme për idilikën socialiste, duke ruajtur ndërkohë cipën e autentikes “popullore”.