Fjalësimi poetik i botës si strategji e komunikimit sublim (tragjedia “Akili” i Et’hem Haxhiademit)
Fjalësimi i botës përmes përshkrimit dhe rrëfimit të saj, realizohet në tragjedinë “Akili” përmes një forme poetike gjuhësimi të lartë, në përshtatje me herojtë mitologjikë, të zbritur nga madhështia mitike e fuqisë dhe përjetësisë hyjnore, (Akili, Priami, Paridi, Polikseni, protagonistët e veprës dramatike në fjalë), në terrenin real të dramës së përditshme njerëzore. Autori fjalëson botën, përshtat përshkrimin e tij, me botën antike, por dhe me botën morale aktuale të kohës së vet. Ai e arrin këtë fjalësim, përmes rrëfimit jo të të gjithë mitit për heroin homerik, por vetëm të episodit tragjik, të vrasjes me pabesi të Akilit. Autori, brenda atmosferës mitologjike dhe përmes frymës heroike të asaj bote (nëpërmjet intertekstit, kujtimeve, referimeve, presupozimit të ngjarjeve dhe të bëmave të mëparshme të herojve), krijon një lloj interpretimi të mitit, një tekst të ri, të imagjinatës dhe strategjisë së tij të komunikimit estetik, nëpërmjet kësaj vepre dramatike.
Kompozimi dialogjik i tekstit dramatik1 nuk është vetëm i natyrës artistike të kësaj gjinie letrare. Mimetisi (imitimi) i dialogimit të individëve njerëzorë deri në një dialogjizëm kundërshtie e konfliktualiteti, të ngjashëm me atë dramacitet që përfton ky ndërveprim gjuhësor në situatën e vërtetë reale të aktit bisedor, është dhe modelim, rikrijim, inskenim diskursi, ngjarjeje dhe shpërfaqjeje ligjërimore. Si dialogjizmin ndërveprues, (ligjërimin e hapur, të mirëfilltë të interlokutorëve bashkëbisedues, të personazheve në skenën e konfliktit dramatik), ashtu dhe dialogjizmin e brendshëm monologjik, i gjejmë në të gjithë strukturën thurëse të tragjedisë në shqyrtim:
Priami: Parid, dashnij’ e madhe ty t’verbon,/ Prandaj ndëgjo t’yt at si t’këshillon Ajo e huej asht, nuk i zihet besë/ Dhe ti kët’ luftë merr për shembëllesë;/...
Paridi: Ç’ligjron me muë ti kshtu, o mbret Priam?/ M’zemrove tepër, ndonse at të kam,/…
Akili: O ti hyjnesh’ e dashunis s’bekueme./ O Afërdit’, sa zjarr të madh më dhe!/ Por ah,