DA

Donika Avdulli

1
artikull
1
revistë
2026
Revista: Kosova

Artikuj (1)

Marrëdhëniet kulturore Shqipëri-Poloni (1949-1951) sipas dokumenteve diplomatike shqiptare dhe polake
Ky punim trajton marrëdhëniet kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë gjatë viteve 1949 - 1951, të periudhës kur misionet diplomatike u drejtuan nga Mihal Prifti dhe Bolesław Jeleń. Duke u mbështetur në dokumente arkivore, studimi synon të zbërthejë jo vetëm dimensionin protokollar dhe institucional të këtyre marrëdhënieve, por edhe funksionin e tyre kulturor si një pjesë integrale e strategjisë së kampit socialist në pasluftë. Emërimet e diplomatëve përbënin një pikënisje thelbësore, ku biografitë politike dhe partizane të përfaqësuesve si Prifti dhe Jeleń i jepnin legjitimitet dhe autoritet marrëdhënieve të reja bilaterale. Analiza tregon se proceset e akreditimit diplomatik, ceremonitë e pritjes dhe përfshirja e elementëve shoqërorë si studentët shqiptarë në Poloni, përveç se ishin akte protokollare, funksiononin si instrumente propagandistike për të theksuar miqësinë brenda bllokut lindor. Struktura e legatës shqiptare në Varshavë, e përbërë nga figura me profile të ndryshme politike, ekonomike dhe administrative, pasqyronte një vizion të koordinuar për bashkëpunim shumëplanësh. Në të njëjtën kohë, prania e stafit mbështetës polak në legatën shqiptare shënon një ndërlidhje të ngushtë kulturore dhe funksionale. Nga ana tjetër, veprimtaritë kulturore të vitit 1949, si ftesat për pjesëmarrje në kongrese letrare, manifestime përkujtimore dhe gara sportive ndërkombëtare dëshmojnë për përpjekjet reciproke për të ndërtuar ura komunikimi përtej marrëdhënieve politike. Edhe pse në raste të caktuara pala shqiptare shfaqej e rezervuar në pjesëmarrje, vetë procesi i shkëmbimit të ftesave dhe i përfaqësimit institucional kontribuonte në krijimin e një hapësire të përbashkët të kulturës socialiste. Përfshirja e organizatave punëtore, shkrimtarëve dhe sportistëve në këto iniciativa, nxjerr në pah karakterin e politizuar të kulturës në epokën staliniste, ku arti, sporti dhe kujtesa historike shërbenin si instrumente të diplomacisë popullore. Në përfundim, marrëdhëniet shqiptaro - polake të viteve 1949 - 1951, të ndërmjetësuara nga diplomatët Prifti dhe Jeleń, përfaqësojnë një model tipik të ndërthurjes së diplomacisë shtetërore me diplomacinë kulturore, duke dëshmuar se politika e jashtme e vendeve të kampit socialist nuk kufizohej vetëm në shkëmbime formale diplomatike, por synonte të krijonte një integrim ideologjik dhe kulturor të gjerë. Dokumentet arkivore ofrojnë një pasqyrë të qartë të këtij procesi, duke e vendosur rastin shqiptar në kuadrin më të gjerë të marrëdhënieve të Lindjes së Evropës gjatë Luftës së Ftohtë.