BS

Blerina Suta

2
artikuj
2
revista
2019–2021
Revista: Revista Albanon Studime Filologjike

Artikuj (2)

Alegoria e kujtesës dhe gjuha poetike e Dantes në vëllimin “Buelli” të Martin Camajt
Kujtesa është një koncept kyç që kondenson sidomos, në tri vëllimet e fundit, Buelli, Nema dhe Palimpseste, konceptin e Camajt për artin. Evoluimi i fazës së fundit krijuese të poetit, hetimi i shtresëzimeve që merr ky koncept vë në provë të gjitha njohuritë tekniko-formale që e konsiderojnë artin një “mnemoteknikë të së bukurës” siç e ka shprehur Baudelaire. Kundërvënia e shkrimtarëve të modernitetit ndaj epokës së industrisë së madhe alegorizohet nëpërmjet sendërtimit të konceptit të kujtesës së pavullnetshme të teorizuar nga Bergson dhe që më vonë Benjamin e gjen te Poe, Baudelaire e Proust, mjeshtra të kujtesës si palimpsest vizionesh. Në këtë kuptim, kujtesa nuk është thjesht koncept, por është një përpjekje intelektuale për të rindërtuar artistikisht të gjitha rezultatet e saj në një përshtypje të shkuar, është materializimi i një “gjësendi” të aftë ta sugjerojë këtë ndjesi të së shkuarës. Objektivizimi i sensacioneve nëpërmjet mekanizmit të analogjive, objektivizmimi alegorik i idesë së kujtesës i nënshtrohet në modernitet një ofiçine përpunuese të vënë në lëvizje nga numri, nga përsërtija, nga kujtesa e elementeve që përfshijnë të gjitha rrafshet e organizimit formal të tekstit, duke rinovuar kështu konfliktin mes fjalës poetike dhe botës. Zgjerimi i ndjeshmërisë për të shkuarën, bëhet objekt i një ndërhyrje të fortë, të pariparueshme mbi të folmen amë dhe sidomos me atë rrafsh stilistik që rinovonte harmoninë metafizike me fjalën dhe konceptet e lidhura me të. Ndërhyrje në “bërthamën” shqiptare të fjalës, “sigurisht pa e zvetnue” siç shprehet Camaj në “Rrëmime mbi poezinë” me përpjekjen për ta zgjeruar kuptimisht në një rrjet “plurilinguist” vizionesh, nuk mund të kryhej pa ndihmën e mjeshtrit të kombinimit të gjuhës “shumës”, Dante Alighierit i cili na shoqëron në kuptimet e tjera që merr fjala, falë ndërlikimeve të ngjyresave të brendshme të kodit të perceptueshëm si unitar.
Mërgimi i fjalës si 'mit' dhe evolucioni i shqipes letrare: rasti i poezisë dygjuhëshe
Poezia dygjuhëshe në traditën letrare shqiptare, sidomos ajo shqip-italisht, zhvilluar në rrethana specifike të rrezikut historik të bjerrjes, ka kryer në rrafsh të gjuhës letrare atë funksion të ruajtjes dhe zgjerimit që gjuha e folur pati kryer në vazhdimësi në zonat apo qarqet kulturore kufitare dygjuhëshe. Bogdani, autori i parë i rëndësishëm i shqipes letrare i përqendroi përpjekjet e tij në një operacion shprehës dygjuhësh ku teksti shqip ishte bartës i idesë krijuese të veprës dhe teksti italisht përbri, mbështetës i të parit, edhe në rastin kur rezulton i marrë nga një autor i shpallur nga vetë Bogdani, apo i identifikuar më vonë nga kritika. Ringjallja dhe zgjerimi kuptimor i fjalëve ekzistuese e të vjetra, apo krijimi tyre ex novo në një formë shprehëse artistike dygjuhëshe si dhe zgjedhja për këtë operacion e një gjuhe si italishtja me të cilën shqipja ka ndarë historinë më të gjatë të bashkëjetesës në rrjetin ndërkulturor të Mesdheut (së bashku me familjen e saj gjuhësore), përbëjnë objektin e perspektivave studimore ende të paeskploruara për pasurinë dhe shtresëzimet që paraqesin. Takimi i dy gjuhëve, shqip dhe italisht, në struktura artistike të vërtedukshme, i karakterizuar jo aq nga ekuivalenca e termave, por nga bashkëplotësia kuptimore dhe polisensi (“kuptimi shumëfish”) tipik i veprës artistike, ka si qëllim zgjerimin kuptimor të shqipes.