Presidenti Wilson, Shqipëria dhe Konferenca e Paqes së Parisit në revistën “Yll’i Mëngjezit”
Me anë të këtij artikulli dëshirojmë të paraqesim një tablo analitike të tre komponentëve kryesorë që trajtohen specifikisht në revistën “Yll’i Mëngjezit”: Presidentin Wilson, Shqipërinë dhe Konferencën e Paqes së Parisit. Përzgjedhja e kësaj teme nuk është e rastësishme, pasi jemi pikërisht në një kohë që na dikton realizimin e një punimi të tillë: 100-vjetori i Konferencës së Paqes së Parisit. Çështja shqiptare u trajtua në këtë konferencë në kuadër të Çështjes së Adriatikut dhe pati një mbështetje dhe interes të veçantë nga ana e Presidentit Wilson për Shqipërinë. Një delegacion i veçantë shqiptar u dërgua si përfaqësues në këtë konferencë. Në këtë mënyrë dëshirojmë që të theksojmë dhe ripohojmë që edhe pse një shtet i vogël në dukje, Shqipëria arriti të përfaqësohej në këtë konferencë dhe të parashtrohej çështja e saj edhe pse në kuadër të problematikave të tjera të përgjithshme që u prezantuan në konferencë.
Në revistën “Yll’i Mëngjezit” të cilën e kemi marrë në shqyrtim, i kushtohet një rëndësi e veçantë kësaj konference dhe Shqipërisë. Gjithashtu, një vëmendje i kushtohet edhe figurës së Presidentit Wilson për kontributin e tij në konferencë dhe interesin e shfaqur për çështjen shqiptare. Këtyre tematikave i kushtohet një hapësirë e veçantë në të tri vëllimet e revistës. Studimi i kësaj reviste është me shumë vlerë për të kuptuar raportin e shqiptarëve me amerikanët, sidomos vlerësimin e tyre për figurën e Wilsonit nga komuniteti përfaqësues i shqiptarëve që jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.