Gjurmë të vendbanimit parahistorik dhe antik në zonën e Vojdullit
Në këtë punim trajtohet një vendbanim disa-shtresor i zbuluar së fundmi, gjurmët e të cilit përkojnë me epokën para-historike (bronz i hershëm, bronz i vonë dhe hekur i hershëm) dhe antike të vonë. Ky vendbanim, që ndodhet në zonën e Vojdullit, është mjaft i veçantë për shkak të lartësisë së madhe mbidetare dhe nga të qenët i izoluar nga vendbanimet e tjera bashkëkohëse. Studimet arkeologjike dëshmojnë se në të shumtën e rasteve gjatë periudhave të përmendura ka pasur një braktisje të vendbanimeve të sheshta për të kaluar në vendbanimet me mbrojtje natyrore, lëvizje që shprehte nevojën për mbrojtje ndaj dyndjeve dhe konflikteve të popullsive, gjë që tregon se banorët vendas, jo pa arsye, zgjodhën këtë pjesë mjaft strategjike për të jetuar. Ky vendbanim dhe tipa të ngjashëm vendbanimesh nga ana funksionale shërbenin si strehime të përkohshme të popullsisë në rast rreziku apo si vendbanime të përhershme e në disa raste edhe si qendra të prodhimit.