B

Belkizare Kryeziu

1
artikull
1
revistë
2026
Revista: KËRKIME PEDAGOGJIKE

Artikuj (1)

Roli i platformave digjitale në zhvillimin e kompetencave të qëndrueshme te nxënësit e arsimit fillor
Ky studim trajton rolin e platformave digjitale në zhvillimin e kompetencave të qëndrueshme te nxënësit e arsimit fillor, duke i pajisur ata me aftësi të nevojshme për mësimin gjatë gjithë jetës. Teknologjia nxit pavarësinë intelektuale dhe zhvillimin e aftësive mendore, duke përmirësuar përvetësimin aktiv të njohurive. Qëllimi i studimit është të analizojë rolin e platformave digjitale si PowerPoint, Kahoot!, GeoGebra, Book Creator dhe Paint në përvetësimin e aftësive të leximit, shkrimit dhe digjitalizimit, si dhe në formimin e kompetencave tjera të qëndrueshme si mendimi kritik, kreativiteti, bashkëpunimi, komunikimi dhe zgjidhja e problemeve. Përdoret një metodologji e kombinuar duke përfshirë: pyetësorë të strukturuar për 120 nxënës nga tri shkolla fillore, intervista të gjysmëstrukturuara me mësimdhënës, si dhe analiza të dokumentacionit mësimor si instrument cilësor. Në këtë të fundit janë shqyrtuar plane mësimore që përfshijnë përdorimin e mjeteve digjitale, produkte të krijuara nga nxënësit përmes platformave (prezantime, tregime digjitale, vizatime në Paint), reflektime nga mësimdhënësit si dhe udhëzues funksional për përdorimin e mjeteve teknologjike. Gjetjet e studimit konfirmojnë rolin pozitiv të këtyre platformave në procesin mësimor: 87% e nxënësve raportuan se aktivitetet me Kahoot! kanë ndikuar në rritjen e kujtesës dhe angazhimit; GeoGebra ka ndihmuar në të kuptuarit vizual në lëndën e matematikës; tregimet digjitale në Book Creator kanë integruar shkrimin dhe dizajnin vizual, duke nxitur kreativitetin dhe shprehjen personale; Paint përforcoi aftësitë vizuale dhe pjesëmarrjen aktive të nxënësve në disa fusha kurrikulare. Megjithatë, studimi identifikon edhe një sfidë të rëndësishme: shumica e mësimdhënësve nuk kanë marrë trajnim adekuat për përdorimin e platformave digjitale dhe i kanë mësuar ato në mënyrë vullnetare dhe autodidakte, duke u mbështetur në përpjekje personale dhe burime të pavarura. Ky punim paraqet një model praktik për integrimin Email: vloraosmanibunjaku@gmail.com efektiv të teknologjisë në klasat fillore, duke kontribuar në literaturën pedagogjike me një qasje të integruar që bashkon përvoja konkrete nga mjedisi shkollor me reflektime didaktike. Gjithashtu, rezultatet ofrojnë rekomandime të vlefshme për mësimdhënësit dhe politikëbërësit në përmirësimin e metodave mësimore, përmes programeve të strukturuara të zhvillimit profesional, që mbështesin përdorimin pedagogjik dhe ndërdisiplinor të teknologjisë në klasat fillore. Kjo qasje kontribuon në ngritjen e cilësisë në arsimin fillor për formimin e kompetencave të qëndrueshme dhe përgatitjen e nxënësve për sfidat e shekullit XXI.