Rëndësia e komunikimit efektiv në mësimdhënie: perceptimet e mësimdhënësve
Komunikimi është një nga nevojat e para të njeriut, prandaj hapat e parë hidhen që në fëmijëri. Në fillim ai është një mjet komunikimi i fëmijës me të rriturit, por, me kalimin e kohës, kur fëmija ndërgjegjësohet për ekzistencën e tij, komunikimi bëhet cilësi e brendshme dhe nis të përmbushë funksionin zhvillimor dhe intelektual për individin. Prandaj, qëllimi i këtij studimi ishte vlerësimi i rëndësisë së komunikimit efektiv të mësimdhënësit në klasë për ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe rezultateve të nxënësve. Aftësitë komunikuese të mësimdhënësit janë shumë të rëndësishme për përkrahjen e nxënësve, mundësinë e tyre për t'u shprehur, si dhe për kohën e bashkëbisedimit me nxënësit në mënyrë të pavarur e kritike. Aftësitë praktike dhe teorike të mësimdhënësve duhet t’u lejojnë atyre përshtatjen e strategjive të të mësuarit dhe nxënies sipas nevojave të nxënësve. Për të realizuar këtë funksion, mësimdhënësit duhet të kenë gjithnjë parasysh komunikimin efektiv, jo vetëm gjatë shpjegimit dhe bashkëbisedimit me nxënës, por edhe gjatë procesit të pyetjeve dhe vlerësimit të nxënësve. Hulumtimi është realizuar përmes qasjes sasiore të bazuar ne modelin deskriptiv, i cili mundësoi përshkrimin e situatës së komunikimit në mësimdhënie nga perspektiva e mësimdhënësve. Pyetja kryesore e këtij studimi është: Si e praktikojnë mësimdhënësit komunikimin në procesin e mësimdhënies? Hulumtimi informon për praktikat e komunikimit në procesin e mësimdhënies nga pikëpamjet e 126 mësimdhënësve të arsimit bazë në Kosovë, të cilët ishin pjesë e këtij studimi. Rezultatet e këtij hulumtimi tregojnë se është i rëndësishëm studimi i komunikimit efektiv në mësimdhënie dhe qëndrojnë në përputhje me studimet bashkëkohore të fushës së studimit. Rezultatet e këtij studimi do të ndihmojnë në rekomandimet për hartimin e programeve mbështetëse për përmirësimin e komunikimit efektiv në mësimdhënie.