BD

Bardhyl Demiraj

3
artikuj
1
revistë
2025–2026
Revista: Studime Filologjike

Artikuj (3)

Manifestazioni dell'umanesimo cristiano nei testi biblici del 'Messale' di Gjon Buzuku (III) - Modelli di riferimento del 'Messale' di Gjon Buzuku
Shfaqje të humanizmit kristian në tekstet biblike të 'Mesharit' të Gjon Buzukut (III) Me këtë shkrim përmbyllin triptikun tonë të studimeve mbi formimin teologjik-intelektual të Gjon Buzukut si autori i librit të parë shqip që njohim deri sot (Demiraj 2023a/2024; 2026a). Një synim i tillë, sado i guximshëm që tingëllonte në pamje të parë - meqë ende mungojnë të dhëna biografike, dokumentare gjithfarëshe - erdhi e mori formë e hodhi shtat falë efikasitetit të rezultateve që u fituan përgjatë rrugëtimit në tekst së bashku me sendërtimin e një risie në metodën e analizave ndërtekstuale për rreth 70+10 perikope (copëza leximi tekstesh biblike) nga Besëlidhja e Re dhe e Vjetër, të cilat i ngjërojmë rregullisht në pjesën e dytë të 'Mesharit'. Klasifikimi i të dhënave të fituara nëpërmjet këtyre analizave mundëson tash natyrshëm një përgjigje pozitive, pra bindëse, ndaj qasjeve alternative që i përcjellim lexuesit në të tria këto punime së bashku: a) së pari lidhur me njohjen dhe zbërthimin e atij qerthulli tematik që ngërthenin këto tekste në vetvete; e për rrjedhojë edhe b) me formimin teologjik-intelektual të autorit të 'Mesharit', i cili sipas mendimit tonë, të shndërruar ndërkohë në bindje, erdhi e u përthith natyrshëm në rrjedhën e Humanizmit Kristian si lëvizje progresiste e moderuar në mjedisin teologjik-intelektual të kohës; e së fundi 3) në fiksimin e një botimi model (LEE 1551) që i përshtatet më së miri organizimit të pjesës së dytë të 'Mesharit' të Gjon Buzukut, përkatësisht tekstit të perikopeve që janë rrokur në të.
Vëzhgime në librin e restauruar të 'Mesharit' të Don Gjon Buzukut - II. Shqimëzat në fund të tekstit
Ky studim është i dyti i radhës në triptikun tonë të studimeve mbi librin e restauruar të 'Mesharit' të Don Gjon Buzukut si produkt tipografik. Këtu jemi përqendruar te shqyrtimi i katër fletëve-shqimëza që përmbyllin ekzemplarin e vetëm të librit të parë të botuar në gjuhën shqipe, siç e njohim deri sot. Materiali liturgjik që rroket në to është aq pak i ruajtur, sa është vështirë të trajtohet njëlloj si pjesa tjetër e korpusit kryesor me tekst të lidhur (§1). Megjithatë edhe ato si pjesë e së tërës gëzojnë të drejtën që të rroken në studimin ballor të 'Mesharit'. Prandaj brenda mundësive të kufizuara që disponojmë u përpoqëm, që krahas paraqitjes tabelare të materialit në fjalë, t'i përcjellim lexuesit zgjidhje të ndryshme alternative që kanë të bëjnë me studimin e këtyre fletëve shqimëza në vetvete (§2), sikurse në tërësinë tyre e në marrëdhënie me korpusin kryesor të librit (§3). Për çdo rast jemi përpjekur të sistematizojmë e të krehim prurjet në studimin e tyre të derisotëm, duke i mundësuar studiuesit dhe lexuesit të interesuar ndërmarrje të suksesshme në të ardhmen.
Ndikimi gjuhësor-kulturor sllav në ‘Mesharin’ e Gjon Buzukut – një narrativ shkencor-filologjik
Ky studim është pjesë e një projekti individual që po zhvillon dhe boton dora-dorës shkruesi i këtyre radhëve lidhur me ‘Mesharin’ e Gjon Buzukut si libri i parë i botuar shqip që njohim deri sot (Demiraj 2023, 2024, 2025, 2026a – në shtyp, 2026b – në shtyp). Këtu kemi marrë në analizë çështjen e ndikimit të literaturës liturgjike sllave të Kishës Katolike kroate (në shek. XV-XVI) që njihet e mirënjihet sot e gjithë ditën në diskursin albanologjik, qoftë edhe si dytësor, por që ka marrë ndërkohë përmasat e një narrativi shkencor-filologjik (§1). Si sinorë orientues në hulumtim shërbejnë sipas rastit: a) aparati grafik i përdorur në realizimin e veprës; b) gjuha e Buzukut, sikurse, madje sidomos, c) struktura e tekstit të ‘Mesharit’ si përkthim që përqaset prej kohësh me modele (leksionarë e breviarë romakë) të pranishme në letërsinë liturgjike kroate në gjuhë popullore të asaj kohe. Pas një hulumtimi të hollësishëm, të mbështetur me një platformë të re metodike vijmë në këtë studim në përfundimin e natyrshëm, se ky ndikim rrudhet vetëm në aparatin grafik të veprës, edhe pse mbetet e hapur çështja, nëse është Buzuku i pari ai që e ka zhvilluar atë alfabet, apo i takon një tradite të mëhershme shkrimore të shqipes (§2). Përndryshe, ai ndikim disi i kërkuar në gjuhë, stil e përkthim, sikurse edhe në organizmin e tekstit në vetvete, prej modeleve të gatshme në traditën liturgjike të kroatishtes popullore me alfabet latinisht, rezulton të ketë qenë e të jetë thjesht fiktiv në diskursin shkencor-filologjik mbi Buzukun dhe veprën e tij (§§3-6).