Konferencë shkencore ndërkombëtare për Albanologji e Gjuhësi historike
.
Një sprovë klasifikimi të italianizmave të shqipes së vjetër (shek. XVI–XVII): huazime popullore dhe huazime librore
Artikulli analizon korpusin e italianizmave të shqipes së teksteve të vjetra, të përpunuar në kuadrin e projektit DPEWA të Universitetit Ludwig-Maximilian të Mynihut, nga këndvështrimi i mënyrës së transmetimit të tyre në gjuhën shqipe. Për këtë qëllim janë përcaktuar disa kritere për dallimin e huazimeve të marra në rrugë librore dhe huazimeve të hyra nëpërmjet gjuhës së folur, kryesisht si huazime kulturore përmes kontakteve gjuhësore. Si huazime librore apo diturore (savante) në radhë të parë janë klasifikuar fjalët e marra drejtpërdrejt nga tekstet italiane që autorët e vjetër kishin si model përkthimi, shpesh herë për nevoja të çastit dhe të mbetura pa vazhdimësi në hapësirë dhe kohë. Huazimet diturore dallohen edhe nga përmbajtja semantike e tyre, si fjalë të leksikut abstrakt ose fetar. Fjalët e karakterit libror mund të dallohen edhe nga grafia që pasqyron tipare fonetike italiane në tekstet e vjetra. Përkundrazi, huazimet e tipit popullor, sidomos ato më të vjetrat, kanë karakteristika fonetike e leksikore veneciane, janë me përhapje relativisht të gjerë në gjuhë, kanë pësuar ndryshime fonologjike e semantike në krahasim me modelin e gjuhës dhënëse, karakterizohen nga prania e varianteve fonologjike e morfologjike në hapësirë e në kohë dhe nga një derivacion i pasur.
Në përfundim të kësaj analize, rezulton një raport i tillë mes dy kategorive: nga një numër i përgjithshëm prej 950 italianizmash, 232 përcaktohen si huazime popullore dhe 718 të tjerat janë huazime diturore, fjalë librash, shumë prej të cilave janë përdorur vetëm një herë për nevoja të tekstit, ndërsa shumë të tjera mbetën me përdorim të kufizuar në shqipen e vjetër.
Kulti i Aleksandrit në Mirditë sipas tregimeve të misionarëve Françeskanë të shek. XVII
Autorja, duke u mbështetur në një material të gjetur në një arkiv të Venecies kohët e fundit nga prof. Lucia Nadin që përmban kujtimet e misionarit françeskan Cherubino da Trento nga qëndrimi në Shqipërinë e veriut, u përqendrua në kultin e Shën Aleksandrit në Malin e Oroshit në Mirditë, duke e identifikuar këtë shenjtor te Aleksandri i Driziparës, legjionar romak, martirizuar rreth vitit 300 në Drizipara të Trakisë. Kulti shumë i përhapur i Aleksandrit në Shqipëri mund të ketë lidhje me kujtesën apo subkoshiencën popullore për Aleksandrin e Madh si paraardhës të shqiptarëve. Në mbështetje të kësaj hipoteze, ajo sjell dëshmi të shumta për ekzistencën e një tradite popullore që rrëfen për prejardhjen shqiptare të Lekës së Madh. Më tej autorja shtron për diskutim pyetjen nëse kjo është një traditë e shpikur nga intelektualët (sipas teorisë së Hobsbawm dhe Ranger) apo një traditë autentike popullore dhe arrin në përfundimin se kujtesa për heroin legjendar të lashtësisë vjen si një vazhdimësi në shekuj, e cila mbështetet në fakte historike po edhe në “mendimin e përgjithshëm të kombit tonë”.
Konferencë shkencore “kontributi i Prof. Seit Mansakut në gjuhësinë shqiptare”
Më 27 maj 2022 Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASA-s në bashkëpunim me Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës organizuan një konferencë kushtuar kontributit shkencor të prof. Seit Mansakut në 80-vjetorin e lindjes së tij. Në konferencë morën pjesë aktive një numër i madh kumtuesish, profesorë në pension por aktivë në jetën shkencore, kolegë të vjetër e më të rinj të prof. Mansakut, ish studentë të tij dhe sot studiues të albanologjisë. Ishin të pranishëm edhe të afërm, miq e dashamirës të prof. Mansakut. Fjalën e hapjes e mbajti prof.as.dr. Adelina Çerpja, përgjegjëse e Departamentit të Gramatikës në IGJL, e cila mbasi përshëndeti pjesëmarrësit dhe u uroi mirëseardhjen,vlerësoi lart figurën shkencore dhe njerëzore të prof. Seitit dhe ndikimin e tij në studimet albanologjike.
Konferencë përkujtimore për veprën e Albanologut Norbert Jokl
Më 6 maj 2022 u mbushën 80 vjet nga vdekja tragjike e albanologut të shquar Norbert Jokl si pasojë e mizorisë naziste. Me këtë rast Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Vjenës organizoi në datën 5 maj 2022 një konferencë përkujtimore për veprën e tij. Në konferencë ishin ftuar specialistë nga fusha e gjuhësisë historike dhe albanologjia, për të ndriçuar aspekte të ndryshme të veprës shkencore të Joklit dhe të ndikimit të saj në albanologjinë e mëvonshme. Konferenca u mbajt në një nga sallat e pallatit perandorak Hofburg, në qendrën historike të Vjenës.
Përbërësja e leksikut me burim nga gegërishtja në Shqipen e përbashkët letrare
Artikulli ka për qëllim të tregojë se një pjesë e mirë e leksikut të shqipes standarde, e mbështetur mbi bazën e toskërishtes, e ka prejardhjen nga letërsia gege.
Autorja është përpjekur, me mjetet gjuhësore që ka në dispozicion, të përcaktojë zanafillën gege të përhapjes së disa kategorive leksemash në shqipen e përbashkët dhe në gjuhën letrare. Gjithsesi, siç e kanë vënë re edhe studiues të fushës, rrugët e kalimit nga leksiku krahinor në atë të gjuhës letrare janë shumë të vështira për t’u ndjekur dhe në këtë përpjekje nuk pretendon të ketë thënë fjalën e fundit.
Këto grupe leksikore përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të leksikut me burim nga gegërishtja në gjuhën e përbashkët letrare shqipe. Një studim gjithëpërfshirës i pjesës së leksikut gegë në gjuhën standarde do të ripohonte konceptin e koinesë të formuluar nga Kostallari, për sa i përket fushës së leksikut.
Kontributi i Joklit për etnogjenezën e shqiptarëve në një analizë kritike të veprës së Seliščevit
Në fillim të shek. XX ndryshoi qasja ndaj autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre aktuale, e cila në shek. XIX nuk vihej në dyshim. Sidomos me studimet e romanistit e ballkanologut G. Weigand, midis gjuhëtarëve u përhap teza trake e prejardhjes së shqiptarëve, që nënkuptonte një imigrim nga troje më lindore në brendësi të gadishullit Ballkanik, një tezë që i shkonte për shtat politikës nacionaliste të vendeve sllave fqinje me Shqipërinë. Në këtë kontekst vendoset edhe vepra e sllavistit rus A. M. Seliščev, Popullsia sllave në Shqipëri, Sofje 1930, në të cilën, me përpjekjet për zbulimin e ndriçimin e gjithanshëm të popullsisë së zhdukur sllave të Shqipërisë, nxirrej përfundimi se shqiptarët kanë ardhur në atdheun e tyre të sotëm pas sllavëve dhe i kanë asimiluar ata. Artikulli përqendrohet në studimin e gjerë kritik që albanologu i shquar e sllavisti N. Jokl i bëri veprës së Seliščevit, duke rrëzuar në radhë të parë disa nga argumentet e Weigandit të përdorura nga Selishçevi për të treguar kohën e vonë të ardhjes së shqiptarëve në trojet e tyre. Ky studim i Joklit ka rëndësi të veçantë për marrëdhëniet historiko-gjuhësore shqiptaro-sllave, pasi i trajton ato nga këndvështrimi albanologjik, duke korrigjuar të metat që rrjedhin nga njohja e pamjaftueshme e historisë së gjuhës shqipe prej Selishçevit.
Përhapja rajonale e sllavizmave të shqipes dhe vendi i tyre në leksikun e shqipes standarde
Huazimet sllave të shqipes kanë një veçori specifike në krahasim me huazimet nga gjuhët e tjera, që lidhet me shpërndarjen e tyre gjeografike. Huazimet nga gjuhët e perandorive të mëdha pushtuese me kohëzgjatje të rëndësishme, si latinishtja e turqishtja, kanë një shtrirje përgjithësisht mbarëgjuhësore. Huazimet nga italishtja janë kryesisht të karakterit dituror të hyra nëpërmjet kontakteve kulturore ose kanë një përhapje sipas shtresave sociale. Ndryshe nga këto, sllavizmat e shqipes paraqiten në përgjithësi të shpërndara në mënyrë lokale, kanë një përhapje të kufizuar dialektore, ndërsa vetëm një pjesë relativisht e vogël është bërë pronë e mbarë gjuhës. Kjo specifikë ka të bëjë domosdoshmërisht edhe me prejardhjen e huazimeve sipas përkatësisë dialektore-gjuhësore brenda grupit të gjuhëve sllave jugore, në përputhje me grupet gjuhësore sllave që pushtuan hapësirat e banuara nga shqiptarët në Ballkan: grupi i sllavishteve perëndimore në Veri dhe grupi i sllavishteve lindore në Lindje dhe Jug. Sipas kësaj përkatësie gjuhësore sllave, sllavizmat e të folmeve veriore të shqipes vijnë prej serbishtes/kroatishtes, ndërsa ato të të folmeve të Jugut vijnë prej bullgarishtes, përkatësisht maqedonishtes. Arsyet e kësaj shpërndarjeje gjeografike të sllavizmave të shqipes janë vetë rrethanat e ardhjes së sllavëve në Shqipëri, në formë valësh të njëpasnjëshme dhe nga drejtime të ndryshme, dhe me mënyrën e ngulimit të tyre në formë enklavash, në zona të caktuara, por kryesisht në zonat kufitare, ku kontaktet me popullsinë sllave kanë qenë të vazhdueshme për shekuj me radhë.