Ndihmesa e Theofan Popës për muzeologjinë shqiptare
Theofan Popa ka lindur më 3 nëntor të vitit 1914, në lagjen Kala të Elbasanit në një familje zanatçinjsh. Pasi përfundoi shkollën fillore Kostandin Kristoforidhi, me ndërhyrjen e atë Josif Mihalit mundi të sigurojë një të drejtë studimi për në Seminarin Teologjik “Joan Teologu” në Manastir. Pasi përfundoi seminarin në vitin 1936 u kthye në Shqipëri dhe pas një viti me mbështetjen e Kryepeshkopit Visarion Xhuvani
mundi të shkonte për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin Teologjik të Universitetit Kapodistria të Athinës, në vitin akademik 1937-1938, me bursë nga fondacioni Jovan Banka.
Dekreti për ndryshimin e emrave dhe të krishterët e fshehtë
Në vitin 1975 regjimi komunist e kuptoi që me vënien e emrave ishte abuzuar shumë, prandaj nxorri dekretin "Mbi ndërrimin e emrave dhe të mbiemrave të papërshtatshëm". Dalja e këtij dekreti i futi në punë nëpunësit e gjendjeve civile, të cilët u urdhëruan të kontrollojnë nëpër regjistra gjithë emrat dhe mbiemrat e papërshtatshëm. Kështu mjaft emra me përmbajtje fetare u zëvendësuan me emra të përshtatshëm. Qytetarët shpesh reagonin ndaj presionit që u ushtrohej nga nëpunësit e zyrave të Gjendjes Civile, duke pretenduar se emri që dëshironin ti vinin fëmijës nuk kishte lidhje me fenë, por me persona familjarë shumë të dashur për ta, sepse dëshironin të trashëgonin emrin e gjyshit ose të gjyshes te fëmija i porsalindur. Disa prindër u vinin fëmijëve emra të vendeve gjeografike ose emra kafshësh dhe shpendësh, të cilët tipizonin bukuri ose trimëri. Për shkak të marrëdhënieve të mira që kishim me vendet e kampit socialist prindërit filluan tu vinin fëmijëve emra ideologjikë, duke abuzuar tej mase politikisht dhe estetikisht. Duke parë se qytetarët nuk qenë të vendosur për ta ndërprerë këtë traditë, në vitin 1975 regjimi ateist nxorri një ligj të posaçëm, me anën e të cilit ndalonte nëpunësit e zyrave të Gjendjes Civile të regjistronin fëmijët e porsalindur me emra të papërshtatshëm nga ana ideologjike, politike dhe etike. Megjithë përndjekjet e propagandën ateiste, besimi te Zoti mbeti gjallë në shpirtin e popullit. Kisha e nëndheshme funksiononte, në kushtet e një përndjekjeje nga shteti ateist. Madje, kishte prej tyre që pa marrë parasysh rreziqet e panumërta, vazhduan ta mbanin të ndezur flakën e besimit me veprime konkrete.
Manastiri i Gjon Vladimirit, qendër e rëndësishme për shkrimet shqipe
Me shkatërrimin e Akademisë së Voskopojës, për t‘u shpëtuar përndjekjeve, shumë dijetarë gjetën strehë në manastirin e Gjon Vladimirit. Manastiri u kthye në qendër ku u bënë shumë përkthime, me anën e të cilave u kultivua gjuha shqipe1. Këtë fakt e vërtetojnë dorëshkrimet e shumta që janë gjetur në manastir. Duhet theksuar se Elbasani në atë kohë ka qenë rezidenca e Mitropolitit të Durrësit, prandaj manastiri i Gjon Vladimirit u kthye në vendin ku shkrimet shqipe gjetën vend të përshtatshëm, sepse aty kanë punuar dhe jetuar personalitete të fuqishme të kohës si Papa Totasi, Dhaskal Todri, Imzot Visarion Xhuvani etj. Për herë të parë, shërbesa e Gjon Vladimirit është botuar në Venecia në vitin 1690 me sponsorizimin e Joan Papës nga Elbasani. Hartuesi i madhërimeve të akoluthisë ka qenë Teodor Haxhifilipi, i cili e ka quajtur Gjon Vladimirin: “Mbrojtës të Elbasanit dhe të gjithë Ilirisë, i zgjedhur i Shqipërisë dhe lavdia e Ilirisë”. Në fund, te “Shërbesa e Shenjtit mbret të lavdëruar dhe martirit të madh dhe mrekullibërësit Gjon Vladimirit, Venecia, 1858”, Teodor Haxhifilipi ka shkruar 52 këngë epitafike, kushtuar shenjtit.