Struktura ekonomike e lagjes Gazi Ali Bej në kasabanë e Vushtrrisë në mesin e shek. XIX
Analiza e strukturës ekonomike e Lagjes Gazi Ali Bej të Kasabasë së Vushtrrisë ofron një vështrim të detajuar mbi strukturën e profesioneve dhe burimeve të të ardhurave gjatë mesit të shekullit XIX, duke zbuluar diversitetin ekonomik dhe ndikimin në jetën e komunitetit. Duke u bazuar në Temettuat Defterin e vitit 1845, të regjistruar në Arkivin Osman me numër fondi ML.VRD.TMT.d.15477, si dhe në burime të tjera historike, ky studim kategorizon burimet kryesore të të ardhurave që kontribuuan në zhvillimin ekonomik të lagjes, përfshirë artizanatet, tregtignë, qiratë dhe të ardhurat nga organet e sigurisë etj. Një fokus i veçantë është vënë në të ardhurat nga shfrytëzimi i tokave bujqësore dhe livadheve, duke theksuar rëndësinë e ekonomisë agrare për jetën e përditshme dhe mirëqenien e popullsisë lokale. Studimi analizon rolin e profesioneve dhe burimeve të ndryshme të të ardhurave, duke nxjerrë në pah rëndësinë e ekonomisë së diversifikuar për ruajtjen e stabilitetit social-ekonomik të popullsisë në lagjen Gazi Ali Bej.
Blegtoria në kasabanë e Vushtrrisë në vitin 1261 h. (1845)
Blegtoria në Kasabanë e Vushtrrisë është një hulumtim që shqyrton strukturën ekonomike dhe sociale të periudhës osmane në kontekstin historik. Bazuar në defterin Temettuat të vitit 1845, të regjistruar në Arkivin Osman me numër fondi ML.VRD.TMT.d.15477, punimi fokusohet në identifikimin e lidhjeve midis strukturës blegtorale, sociale dhe ekonomike. Përmes tipologjisë, sasisë, shpërndarjes dhe të ardhurave të blegtorisë, qëllimi i këtij punimi është të analizojë dhe vlerësojë potencialin, diversitetin dhe qëndrueshmërinë ekonomike të kësaj industrie dhe shoqërie në Kasabanë e Vushtrrisë dhe ndikimin e saj në tregtinë lokale dhe mirëqenien e banorëve. Gjithashtu, studimi i sistemit tatimor të kohës dhe analiza demografike e popullatës së Kasabasë së Vushtrrisë jep një pasqyrë të thellë të lidhjes ndërmjet sektorit të blegtorisë dhe strukturës së komunitetit, duke paraqitur sfidat dhe rëndësinë e interpretimit të të dhënave historike. Në përgjithësi, punimi ynë ofron një pasqyrë të qartë të rëndësisë së blegtorisë në zhvillimin historik të rajonit, duke theksuar lidhjet komplekse midis ekonomisë, shoqërisë dhe demografisë në këtë kontekst specifik historik. Ky studim ofron një analizë të përgjithshme të blegtorisë dhe kontekstit social-ekonomik në Kasabanë e Vushtrrisë duke ofruar një portret të hollësishëm në aspektin e dinamikës sociale dhe ekonomike të periudhës osmane.
Analizë e defterit të xhizjes në Vushtrri h.1258 (1842)
Xhizja ( جِزْيَة ) është një taksë vjetore për kokë
banori e vendosur historikisht në formën e tarifës financiare për jomyslimanët.
Taksa e xhizjes është një tarifë për ta mbrojtur, garantuar sigurinë e
jetës, pronën, praktikimin e një besimi tjetër si dhe përjashtimin nga shërbimi
ushtarak për jomyslimanët. Defterët e xhizjes zënë një vend të
rëndësishëm ndër burimet e të ardhurave të Perandorisë Osmane, ndërsa si
të tillë japin informacion të rëndësishëm dhe janë burime referimi për studimet
historike osmane. Në këtë studim është bërë prezantimi dhe vlerësimi
i regjistrit të xhizjes që i përket Kazasë se Vushtrrisë me rrethinë. Defteri me
numër kodi ML.VRD.CMH.d. 00049, përmban informacione të rëndësishme
socio-ekonomike për nënshtetasit jomyslimanë që banonin në rrethet
e Vushtrrisë gjatë vitit 1258 H. (1842). Qëllimi i këtij studimi është të vlerësohet
struktura demografike dhe pozicionimi hapësinor i jomyslimanëve në
Vushtrri në vitin 1842, si dhe statusi i tyre klasor përmes kategorive të
taksave që paguanin.
Reformat modernizuese në Perandorinë Osmane sipas historiografisë botërore (1789 - 1839)
Gjatë historisë shtetet kanë bërë ndryshime ristrukturuese për të përmbushur kërkesat e kohës, por edhe për ta ruajtur ekzistencën e tyre. Edhe për Perandorinë Osmane lëvizjet ristrukturuese ishin të pashmangshme, veçanërisht gjatë shekullit të 19. Prandaj, historiografia botërore i ka dhënë një vend të rëndësishëm ndriçimit të nismave moder- nizuese të Perandorisë Osmane. Përmes këtij punimi synojmë të trajtojmë pikëpamjet kryesore të historiografisë botërore për fillimet e reformave të Tanzimatit në Perandorinë Osmane. Përkatësisht, punimi fokusohet në për- pjekjet e para për riorganizimin dhe modernizimin e Perandorisë, duke filluar nga reformat e Sulltan Selimit III dhe Sulltan Mahmutit II përgjatë viteve 1789-1839. Këta dy sulltanë novatorë duke përfituar më shumë nga ekspertët perëndimorë, reformuan Perandorinë Osmane dukshëm më shumë se para- ardhësit e tyre. Nëpërmjet këtij punimi, ndër të tjera, do të njohim vlerësimin e historianëve botërorë për reformat e modernizimit në Portën e Lartë. Rrje- dhimisht, nëpërmjet njohjes së këtyre reformave, do të kuptojmë më mirë
ngjarjet e 1839-s, vit në të cilin edhe u shpall dekreti i Tanzimatit.