ZH

Zana Hoxha

7
artikuj
1
revistë
2021–2024
Revista: Gjurmime Albanologjike

Artikuj (7)

Tipologjitë e kishave të periudhës së krishterimit të hershëm në Kosovë
Territori i Kosovës ishte i vendosur në kryqëzimin e Perandorisë Romake të Lindjes dhe të Perëndimit. Si i tillë, feja e re e krishterimit arriti në Ballkan mjaft herët. Gjurmët arkeologjike të monumenteve shfaqen në fund të shekullit të 4-t. Përhapja e shpejtë e krishterimit në të gjithë Perandorinë Romake dhe më tej ndikoi në zhvillimin e ndërtesave publike. Gjatë kësaj periudhe filloi një ndryshim qenësor në jetën shoqërore të popullit vendas. Kalatë e përdorura gjatë periudhës parahistorike nga Dardanët po përdoreshin sërish, por tani ishin përshtatur për nevojat bashkëkohore. Një fenomen në kalatë e rindërtuara është se tani në pjesën më të lartë të kalasë mban vendin kryesor kisha me ose pa ndërtesa ndihmëse. Deri më sot janë identifikuar pesëdhjetenjë ndërtesa të kësaj periudhe. Në pjesën e parë të punimit do të shpaloset një hyrje e përgjithshme me faktet historike në lidhje me periudhën, duke vazhduar me një analizë të detajuar të kishave sipas tipologjisë së tyre. Karakteristikat tipologjike do të paraqiten së bashku me shembuj konkretë. Si përfundim, krishterimi luajti një rol të madh në jetën e komunitetit lokal dhe dokumentimi i karakteristikave arkitektonike na çon drejt kuptimit më të mirë të kësaj periudhe.
Arkitektura e krishterimit të hershëm: Rasti Kosovës në një kontekst global
Ky punim fokusohet në zhvillimin e arkitekturës së krishterimit të hershëm në territorin e Kosovës në një kontekst global. Kosova shtrihet në pjesën juglindore të Evropës, pikërisht në Gadishullin Ballkanik, duke e vendosur vendin në një pozitë të favorshme gjeografike dhe gjeopolitike. Rrjedhimisht, procesi i krishterimit arriti në këtë rajon relativisht herët. Burimet e shkruara konfirmojnë se gjurmët më të hershme të krishterimit janë martirizimet e para, të Florit dhe Laurit, në qytetin romak të Ulpianës në shekullin II pas Krishtit, ndërsa gjurmët e para në arkitekturë nga Ulpiana datojnë nga shekulli IV pas Krishtit. Qëllimi i këtij punimi është të paraqesë shembuj konkretë të arkitekturës së krishterë në Kosovë nën thjerrëzën e globalizimit. Nëpërmjet analizës krahasuese të metodës së projektimit dhe teknikave të ndërtimit të këtyre ndërtesave, mund të vërehet sesi arkitektura e krishterë iu nënshtrua procesit të globalizimit të kësaj periudhe. Si përfundim, përmes këtyre shembujve, ne mund të kuptojmë më shumë mënyrat se si prirjet globale të periudhës së mesjetës së hershme në arkitekturë iu përshtatën kushteve lokale fillimisht në forma dhe stileve të reja, dhe se si ambiciet e perandorit Justinian ndikuan në arkitekturë si nga ana sasiore ashtu edhe cilësore shekuj më vonë.