“Libri i burgut” i Arshi Pipës dhe poezia e burgut (1944-1990)
Letërsia shqiptare e gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë përveç anës zyrtare kishte edhe anën jozyrtare, përveç anës së dukshme kishte edhe anën e fshehur.
Pra, kjo letërsi kishte edhe anën tjetër.
Krahas letërsisë së realizmit socialist, që u instalua pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri si letërsi zyrtare, u krijua edhe një letërsi tjetër, që nuk kontrollohej nga dogma ideologjike. Kjo letërsi kryesisht ishte letërsia e burgut, letërsia e sirtarëve dhe letërsia e ndaluar - më pak, që u krijuan në vend, si dhe letërsia e diasporës.
Nëse letërsia e realizmit socialist ndërpret kontinuitetin e letërsisë shqipe, letërsia e burgut, letërsia e sirtarëve dhe letërsia e diasporës janë letërsi të vazhdimësisë së letërsisë shqipe të viteve ’30-’40 të shekullit të kaluar.
Pas luftës, arti e sidomos letërsia, qe detyruar të ishte në anën e atyre që kishin dalë fitues në këtë luftë, dhe në emër të së cilës kishin marrë pushtetin. Krijuesit letrarë konsideroheshin punonjës shpirtërorë, “inxhinierë të shpir- tit”, që do të ndihmonin në krijimin e njeriut të ri.
Ishte kjo një letërsi e orientuar dhe, në kohën kur të orientuarit gëzonin respektin e ideologëve të shoqërisë së re të njerëzve “të barabartë”, ata që nuk ishin në rrugën e orientuesve dënoheshin nga pushteti, hynin në radhën e
armiqve të pushtetit, sepse në pushtetet diktatoriale kishte vetëm dy rrugë: me pushtetin ose kundër tij, rrugë të tretë nuk kishte.
Në këtë kohë u krijua edhe letërsia e burgut sepse, që me instalimin e"
"diktaturës në Shqipëri, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, e deri në rënien e komunizmit në fillim të viteve ’90, në mesin e shtresave të tjera, që nga kriminelët e luftës, të deklasuarit, ordinerët etj., një prani të përhershme në burg kishin edhe shkrimtarët, një pjesë e të cilëve edhe nuk arritën të mbijetonin, duke filluar nga të fundit e Rilindjes Kombëtare, si Ndoc Nikaj, Bernardin Palaj, Vinçenc Prendushi, Mirash Ivanaj, pastaj Arshi Pipa, Kasem Trebeshina, Lazër Radi, Kudret Kokoshi, Trifon Xhagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nela, Frederik Rreshpja, Pano Taçi, Maks Velo, Zyhdi Morava, Visar Zhiti; në Kosovë Adem Demaçi, Fazli Greiçevci (vdiq në burg nga torturat), Xajë Nura, Adem Gajtani, Teki Dërvishi, Beqir Mus- liu, e deri te brezi i vitit 1981, si Hydajet Hyseni, Merxhan Avdyli, Januz Januzaj, Bajram Kosumi, si dhe të burgosurit e viteve 90, e të luftës së UÇK- së, 1997-1999.
Në këtë punim studimor do të ndalemi te poezia e burgut e Arshi Pipës."
Poet i revoltës ekzistenciale dhe i dhimbjes sublime (Portreti krijues i Ali Podrimjes)
Krijimtaria letrare e poetit kombëtar Ali Podrimja shtrihet përgjatë një periudhe më shumë se gjysmë shekulli. Kjo krijimtari zë fill në kohën kur letërsia shqipe në ish-Jugosllavi, që kishte nisur të publikohej menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore (sapo kishte hyrë në dekadën e dytë të saj), krijohej nën censurën e rreptë shtetërore. Në gjysmën e dytë të viteve ’50 të shekullit XX, kohë kur Podrimja e filloi krijimtarinë e tij letrare, në Prishtinë, pas disa vjetësh të publikimit në gazeta e revista, kishte nisur edhe botimi i vëllimeve të veçanta poetike dhe i librave me tregime e pjesë teatrale. Në këtë kohë, nën ndikimin e letërsisë së lexuar, si pesëmbëdhjetëvjeçar, edhe poeti i ri Ali Podrimja filloi të publikonte në revistat letrare “Jeta e re” dhe “Zani i rinis”. Krijimtaria e Ali Podrimjes, përveç etapës së parë, i përjetoi të gjitha etapat tjera të zhvillimit nëpër të cilat ka kaluar letërsia shqipe në ish-Jugosllavi: etapën e dytë, kur letërsia shqipe po vazhdonte t’i nënshtrohej censurës së rreptë shtetërore dhe etapat që erdhën pas saj, etapat e emancipimit estetik dhe të modernizimit. Podrimja shkroi edhe prozë, si dhe shkrime eseistike, të një stili të veçantë, por deri në fund të jetës së tij i mbeti besnik poezisë. Krijimin e nisi si një poet i periferisë, për të arritur në fund përmasat e krijuesit kombëtar. Në poezinë e tij, atdheu i copëzuar krijohet e rikrijohet dhe merr formën e qartë të Shqipërisë së natyrshme. Në këtë poezi kanë zënë vendin e vet si hapësira kombëtare, ashtu edhe njeriu shqiptar, për të marrë në fund pamjen e hapësirës universale dhe të universit njerëzor.