RI

Raino Isto

3
artikuj
1
revistë
2022–2023
Revista: Studime për Artin

Artikuj (3)

“Kjo ekspozitë, që do të hyjë në historinë e pikturës sonë”
Ky artikull hulumton reagimet ndaj dhe diskutimet kritike rreth ekspozitave të fillimviteve 1970, duke u përqendruar kryesisht në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative të vitit 1971, dhe në ekspozitën Pranvera të vitit 1972. Artikulli hedh një shikim të imët mbi reagimet e artistëve ndaj zhvillimeve që po ndodhnin – veçanërisht në lëmin e pikturës – gjatë Revolucionit Ideologjik e Kulturor të Shqipërisë, si dhe hartëzon idetë dhe qasjet estetike që u përplasën apo e përforcuan njëra-tjetrën në këto vite. Artikulli shqyrton pritjen e hershme të punës së artistëve si Edison Gjergo dhe Edi Hila, analizon debatet komplekse rreth referimeve piktorike të stileve moderniste historike (kryesisht kubizmit dhe ekspresionizmit), si dhe të rëndësisë së këtyre debateve në sfondin e shkëmbimeve kulturore ndërkombëtare të Shqipërisë gjatë asaj periudhe. Duke i trajtuar ekspozitat e fillimviteve 1970 si një “fillim i ri” – siç i panë, në fakt, kritikët e kohës – artikulli heton orientimin e kulturës në Shqipërinë e socializmit shtetëror para kthesës konservatore të Plenumit të Katërt më 1973, dhe argumenton për një përkufizim më të larmishëm e të nuancuar të asaj që artistët mendonin se mund të arrinte realizmi socialist në kontekstin shqiptar.
Recension: Arian Leka, realizëm socialist në Shqipëri
Nga erdhi realizmi socialist dhe çfarë ishte në të vërtetë ai? Stil, lëvizje a diçka krejt tjetër: një “metodë”, ashtu siç e përshkruajnë ithtarët e tij? Si lidhet me modernizmin, këtë fenomen që është po njësoj shumëkuptimësh, dhe që dominoi në një pjesë kaq të madhe të ligjëratës kulturore—në Perëndim e më gjerë—gjatë shekullit XX? Libri i Arian Lekës, Realizëm Socialist në Shqipëri përpiqet të ofrojë përgjigje ndaj këtyre pyetjeve, duke u përqendruar specifikisht tek realizmi socialist në kontekstin shqiptar dhe duke kundruar, më së pari, kritikën letrare dhe poezinë (edhe pse, në kapitullin përmbyllës, libri merret edhe me kulturën pamore). Libri duket se synon, së pari, vëmendjen e studentëve e të kërkuesve, për të cilët, prodhimi kulturor i viteve të socializmit është mbajtur në hije, me qëllimin që të largohej nga vëmendja—dhe të harrohej—përvoja e shtetit socialist dhe e diktaturës.
A ёshtё realizmi socialist njё arkiv ?
Një sërë përpjekjesh studimore janë rrekur të përvijojnë joshjen që paraqet arkivi, jo vetëm nga ana e përmbajtjes, por edhe si formë (an)estetike, për modernizmin (dhe post-modernizmin). Megjithatë, derimë tani, përpjekjet për të kuptuar saktësisht marrëdhënien midis realizmit socialist dhe arkivit, qoftë si tematikë apo si modalitet i të kuptuarit historik, janë të pakta. Arsyet për këtë nuk mungojnë: ideologjia e deklaruar sintetike e realizmit socialist, që përgjithësisht synonte të distilonte dhe të purifikonte një imazh konsekuent të zhvillimit shoqëror drejt së ardhmes së projektuar komuniste, shihet, më së shumti, si një iluzion, një shtrembërim i historisë, i cili zbulohet (për ironi) pikërisht nëpërmjet të dhënave dokumentare që gjenden nëpër arkiva. Marrëdhënia e vështirë e realizmit socialist me fotografinë, mbështetja e këtij të parit tek imazhi dokumentar, krahas nevojës së tij për të fshirë detajet historike “problematike”, për të rishkruar të kaluarën, duket se shkon në kundërshtim me ambicien e arkivit drejt plotësisë dhe objektivitetit. Thënë kjo, ka dhe arsye të rëndësishme për të supozuar se realizmi socialist (konceptuar si një variant specifik i modernizmit) funksiononte vërtet në mënyrë arkivore. Historia e realizmit socialist, ashtu si dhe ajo e arkivit, është e gërshetuar fort me burokracinë; aparati ideologjiki realizmit socialist, njësoj si arkivi i shekullit XIX, lidhej në mënyrë thelbësore me hulumtimin e kohësisë. Për më tepër, realizmi socialist u zhvillua, shpeshherë, krahas një sërë projektesh arkivore (siç ishin përpjekjet nacionaliste për të dokumentuar kulturën popullore në periferi, për shembull, ose për të prodhuar narrativat shteruese të veprimtarive antifashiste). Një tjetër arsye është fakti se, për artistët dhe historianët postsocialistë, objektet kulturore socrealiste padyshim që janë bërë tashmë një arkiv, një tërësi të dhënash që duhen zhbiruar, riorganizuar dhe vënë në pikëpyetje. Sprova e mëposhtme parashtron një tog pyetjesh rreth realizmit socialist dhe arkivit, specifikisht, në kontekstin e artit të epokës socialiste në Shqipëri: Deri në ç’masë ishte realizmi socialist një formë arkivore e artit? Nëse realizmi socialist funksionoi si një arkiv në epokën e tij, ç’lloj arkivi ishte ai? Si duhen kuptuar ndërhyrjet bashkëkohore që dëshmojnë një angazhim me artin e realizmit socialist, nga pikëpamja e ngjashmërive (ose dallimeve) që ato kanë me ndërhyrje të tjera postsocialiste nëpër të tjerë arkiva burokratikë? A ishte pikëpamja e realizmit socialist mbi arkivin moderniste, postmoderniste apo diçka krejt tjetër?