OL

Olsi Lelaj

Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit; Institute of Cultural Anthropology and Art Studies
3
artikuj
1
revistë
2021–2023
Revista: Antropologji

Artikuj (3)

The albanian village and modernity: an outline of a relation
Pas themelimit të shtetit modern në 1912, fshati shqiptar do të kalonte në procese modernizuese që ndryshuan thellësisht mënyrën e jetesës të fshatarësisë. Këto ‘shndërrime të mëdha’ që motivoheshin nga idetë e progresit dhe evolucionit artikulojnë një raport specifik mes modernitetit si projekt shtetëror dhe fshatarësisë. Kjo e fundit, ndër të tjera, qe bërë subjekt i diskursit modernist shkencor më herët. Fshatari shqiptar ishte përshkruar si kuriozitet gjuhësor dhe etnografik në shkrimet e udhëtarëve romantikë, diplomatëve, filologëve kureshtarë dhe etnografëve kurajozë perëndimorë të shekullit XIX. Këto momente takimi kërkojnë vëmendjen tonë analitike veçanërisht për të kuptuar mënyrat se si moderniteti shndërroi ruralen shqiptare. Në këtë artikull për këtë vëllim, ne japim një skicë të ‘takimit’ mes rurales dhe modernitetit në Shqipëri, duke u ndalur për të kuptuar: a) se si jeta e fshatit u bë subjekt i ligjërimit etnografik dhe antropologjik dhe b) në ç’mënyrë shteti modern ndryshoi fshatin shqiptar gjatë socializmit shtetëror dhe pas rënies së tij.
Raca, kombi, intelektuali
Ky artikull fokusohet në njërin prej diskurseve më të rëndësishëm që vjen prej korpusit të larmishëm të dijes së ushqyer prej antropologjisë: atë mbi racat njerëzore. Ky diskurs u palos më pas në racizëm shkencor dhe eugjenizëm prej ku ideologjitë e mëdha të modernitetit si: nacionalizmi, fashizmi e nazizmi në Evropë, politikat raciale në Amerikë dhe gjetkë, gjetën legjitimitetin e tyre shkencor për veprime konkrete. Mbi këtë premisë, kërkojmë të gjurmojnë se në ç’mënyrë disa ide mbi racën u përthyen në ligjërimin intelektual shqiptar gjatë fundit të shekullit XIX deri në mesin e shekullit XX. Nëpërmjet analizës së binomit “racë-komb”, ne do të ndalemi te raporti që krijon dija antropologjike me ideologjitë moderne në përthyerjet dhe artikulimet e përfytyrimeve mbi “veten kolektive” tek intelektualët e një shoqërie përgjatë rrugës së kushtetimit të saj si moderne në kuadrin e ngritjes së shtetit kombëtar.
Mish dhe kocka: mbi antropologjinë fizike të shqiptarëve
Carleton Coon-i mbërriti në Shqipëri diku nga fillimi i vjeshtës së vitit 1929 dhe qëndroi deri në pranverën e vitit 1930. Materiali empirik që u grumbullua në këtë ekspeditë u botua si monografi, nën titullin: Malet e gjigantëve: një studim racor dhe kulturor i malësorëve Gegë të Shqipërisë Veriore (1950). Coon-i, një ndër personalitetet kryesore të antropologjisë fizike amerikane të shekullit XX, u mati kokat, gjymtyrët dhe trupin shqiptarëve të Veriut për të kuptuar nëse procesi i dinarizimit qe produkt biologjik apo kulturor. Çerek shekulli më pas, në Institutin e Arkeologjisë e Akademisë së Shkencave, nisi punën kërkimore në fushën e antropologjisë fizike, mjeku i ri, Aleksandër Dhima. Objekti i kërkimeve ishte etnogjeneza e shqiptarëve dhe, specifikisht, vijimësia raciale mes shqiptarëve të sotëm dhe paraardhësve të tyre. Duke u ndalur në punën e Coon-it dhe Dhimës, ky artikull reflekton në mënyrë kritike mbi zhvillimin e antropologjisë fizike mbi shqiptarët dhe rolin e saj në “natyralizimin” dhe “biologjizimin” e identiteteve kombëtare.