Metafizika poetike refleksione për poezinë e Sabri Hamitit
Metafizika, gruaja me tipare të zanave tona mitologjike1, që e shihte dhe kishte aftësi të fliste me syrin e Providencës, që siguron mbrojtje e kujdes për ne, u bë simbol i ndërlidhjes së njeriut, qenies, ekzistencës sonë në këtë botë, me vullnetin e Saj, e cila mbikëqyr sjelljen dhe moralitetin e krijesës së vet, sjellje e moralitet që shfaqet në trajta e forma të ndërlikuara të mendimit dhe të veprimit. Në këtë ndërlidhje, Metafizika u bë ura dhe udha e përhershme ndërmjet Qenies e Providencës. Meqë jemi te mitologjia, nëse Hermesi, rrjedhimisht hermeneutika, sjell alegorinë e Providencës, me të cilën Qenia jeton dhe përpiqet të zbulojë e rizbulojë vullnetin e Providencës, Metafizika sheh e dërgon, madje ia mundëson Qenies formën e ndërliqshme të imagjinimit të Providencës si kult, pikëpyetje, përkushtim e Paskajësi.
Ky komunikim primordial i Qenies me Metafizikën nuk është shuar kurrë si dhe nuk do të shuhet kurrë, rrjedhimisht, i ndërlidhur me jetën njerëzore, jeton në vazhdimësi në kohën zero. Mirëpo, jeta njerëzore dhe jeta individuale e njeriut, edhepse të ndërlidhura si vetëdije, dallojnë për faktin se, e para, priret drejt infinitit, (nëse këtu e harrojmë konceptin për apokalipsin të feve abrahamike), ndërsa, e dyta, drejt finitit të vetëdijshëm.