Gjetje të reja të monedhave romake në Vërban të Kllokotit
Në lokalitetin arkeologjik në Vërban të Kllokotit, afër Vitisë së Kosovës vazhdimisht gjenden artefakte të periudhës romake dhe bizantine. Më herët në këtë lokalitet janë gjetur një varg reliktesh nga periudha romake, në mesin e të cilëve pa dyshim vend të veçantë zë busti prej mermeri i “Zonjes Dardane”, i cili paraqet një femër nga shtresat aristokrate dardane me veshje karakteristike ilire dhe me stoli karakteristike ekskluzivisht për gratë dardane. Gjatë pranverës dhe vjeshtës të viteve 2023 e 2024 gjatë punimeve bujqësore si zbulime rasti janë gjetur një numër i konsiderueshëm monedhash, që i përkasin periudhës të sundimit romak në Kosovë prej shekullit IIo deri në gjysmën e dytë të shekullit VIo të erës sonë, respektivisht kohës së perandoreshave Faustina Maior (bashkëshortja e perandorit Antoninus Pius, 138-140) e Sallustia Orbiana (bashkëshortja e perandorit Severus Alexander, 225-227) dhe të perandorëve: Septimius Severus (193-211), Geta (209-211), Gordianus IIIo (238-238-244), Philippus Io (244-249), Trebonianus Gallus (251-253), Volusianus (251-253), Gallienus (253-268), Aurelianus (270-275), Diocletianus (284-305), Constantinus Io (306-337), Constantius Gallus (326-354), Constantius IIo (337-361),Valentinianus Io (364-375), Valens (364-378) dhe të perandorit bizantin Justinianus Io (527-565). Në averse të këtyre monedhave janë paraqitjet e portreteve të perandorëve, ndërsa në reversë paraqitën figurat e perandorëve por edhe të hyjnive: Sol (hyj i Diellit), Annona (hyjneshë e lidhur me hyjneshën Ceres, dhe personifikim hyjnor i shpërndarjes së drithit popullit romak), Ceres (Cerera, hyjneshë kjo e bujqësisë dhe e pjellorisë), Securitas (hyjneshë e sigurisë së shtetit), Concordia (hyjneshë e harmonisë), Roma (hyjneshë e cila e personifikonte qytetin e Romës) e Victoria (hyjneshë me flatra e fitores, më së shpeshti e paraqitur në reverse të monedhave romake), paraqitjet e kafshëve të ndryshme ose shkronjat e mëdha që tregojnë vlerën nominale të monedhës si në rastin e follisit të kohës së perandorit Justiniani Io. Monedhat janë të punuara prej argjendi e prej bronzi dhe i përkasin llojeve të ndryshme. Në mesin e tyre ka monedha të llojit: denarius, sestertius, antoninianus, antoninianus të reformuar me rastin e reformave të perandorit Caracalla (198-217), pastaj monedha prej bronzi të llojit nummus, follis, follis i reduktuar e poashtu edhe solidus i reformuar me rastin e reformave të perandorit Constantinus Maximus (Kostandini i Madh, 306-337), imitime prej bronzi të monedhave prej argjendi si dhe monedhat përkujtimore dhe monedha e ashtuquajtur „limes denarius“ që ishte imitim i denariusit të argjedtë zyrtar, e punuar për paga të njësiteve ushtarake të stacionuara në provincat danubiane. Në bazë të te dhënave nga mbishkrimet që janë në ekserge (segmente) të këtyre monedhave kuptohet se ato ishin prerë në punëtoritë qëndrore monedhëprerëse të Romës, por edhe nëpër punëtori monehdëprerëse provinciale: në Viminacium (Mezi e Epërme, Kostollac i sotëm në Serbi), Romë (Itali), Ticinum (Pavia, Itali), Lugdunum (Lion, Francë), Antiochia, Constantinopolis (Turqi), Thessalonica (Greqi).
Pjesëtarët e ushtrisë romake me origjinë nga provincia e Dalmacisë në Dardaninë romake
Në territorin e ish-Mbretërisë Dardane, e cila pas pushtimit romak ishte bërë pjesë e provincës romake Moesia (dhe e cila pas ndarjes territoriale nga perandori Domician, nga viti 86 të erës sonë ishte bërë pjesë e provincës së re Moesia Superior), janë gjetur disa monumente epigrafike në tekstet e të cilave përmenden pjesëtarët e ushtrisë romake me prejardhje nga Salona dhe nga disa lokalitete të tjera të Dalmacisë e që kronologjikisht i përkasin shekullit I të erës sonë. Bëhet fjalë për monumentet mbivarrore të ish-ushtarëve romakë, gjegjësisht të veteranëve, të cilët pas pushtimit romak të Dardanisë ishin vendosur në rajonin e Colonia Flavia Scupinorum, përkatësisht në Scupimetropolin antik të Dardanisë në shekullin Io të erës sonë. Monumentet epigrafike të këtyre ushtarëve janë ngritur nga skllevërit e tyre të liruar dhe se këta të fundit ishin edhe trashëgimtarë pas vdekjes së ish-padronëve të tyre, ndërsa në një rast monumentin e kishte ngritur miku i të ndjerit. Veteranët e ushtrisë që përmenden në tekstet e mbishkrimeve të këtyre monumenteve kishin qenë kryesisht pjesëtarë të Legio VIIo Claudia Pia Fidelis. Ky legjion fillimisht ishte vendosur në provincën e Maqedonisë, prej nga ishte transferuar në Dalmaci, ku ishte vendosur në kampet ushtarake në Tilurium dhe në Salona, ndërsa prej këtu në vitin 62 të erës sonë ishte transferuar në provincën e re - Moesia e në një rast veterani kishte qenë pjesëtar i Legio XIVo Gemina, që kishte qenë e vendosur në Panoni.
Ndikimet nga mesdheu në Dardaninë pararomake dhe romake
Dardanët dhe shteti i tyre, i vendosur në
udhëkryqin që lidh Evropën Veriore me Ballkanin e Jugut dhe Greqinë si
dhe brendësinë e Ballkanit me bregdetin ilir, fillojnë të përmenden në veprat
e autorëve antikë në shekullin IV para erës sonë, por dëshmitë arkeologjike
sugjerojnë se qysh në shekullin VI, para erës sonë, dardanët kishin pasur një
shoqëri të organizuar, të udhëhequr nga princër dhe që qysh në atë kohë
kishte pasur ndikime nga Mesdheu. Ndikimet e qytetërimeve të ndryshme
nga Mesdheu janë dëshmuar që nga periudha parahistorike, para së gjithash,
përmes gjetjeve të enëve prej argjile, të stolive dhe të pajisjeve të luftës të
importuara nga Mesdheu si dhe të monedhave të prodhuara nëpër punëtoritë
monedhëprerëse ilire të cilat vepronin nëpër qytetet buzë Adriatikut që
pjesërisht ishin me origjinë dalmate. Pas pushtimit romakët Mbretërisë
Dardane dhe të krijimit të provincës Mezia (Moesia) brenda të cilës ishte
integruar trojet dardane, këto ndikime ishin bërë më të shpeshta përmes
Romës dhe të brigjeve të Adriatikut dhe pasqyrohen përmes të gjetjeve të
monumenteve epigrafike të ushtarëve romakë, një pjesë e të cilëve kishin
qenë me origjinë nga Dalmacia.
Romakët dhe ata që erdhën me ta në Dardani sollën me vete dhe e
përhapen anembanë Mesdheut gjuhën latine dhe onomastikën latine e
greko-orientale si dhe nderimin e kulteve të hyjnive romake të ujit, por edhe
të hyjnive të tjera me origjinë greko-orientale, madje edhe kultet e njerëzve
të vdekshëm e të hyjnizuar pas vdekjes së tyre, kurse në fund edhe krishterimi
kishte arritur dhe ishte përhapur në Dardani përmes botës romake.
Monedhat romake me simbole ushtarake të gjetura në rajonin e Pejës
Gjurmime albanologjike Seria e shkencave historike
51/2021
Përmbajtja e shkurtër: Në vitin 2011 në Pejë si zbulim rasti është gjetur një monedhë romake e kohës së sundimit të perandorit Gordiani IIIo me portret të këtij perandori në avers, ndërsa në revers është figura femërore (që në dorën e djathtë mban një degë, ndërsa në të majtën një skeptër me atribute të hyjneshës romake të fitores Victoria), e cila personifikon provincën Moesia Superior (Mezia e Epërme) rreth të cilës gjenden figurat e një demi (nga ana e djathtë) dhe të një luani (nga ana e majtë) të cilat simbolizojnë njësitet ushtarake Legio VIIo Claudia dhe Legio IVo Flavia të cilat përbënin ekuipazhin ushtarak të provincës Mezia e Epërme nga shekulli Io të erës sonë e deri në fund të antikitetit. Është fakt me interes që më herët në rajonin e Pejës janë gjetur edhe një monedhë e tillë e kohës së perandorit Filipi Arab dhe një tjetër e kohës së perandorit Trajan Deci, me të cilin kishte filluar periudha e perandorëve romakë me origjinë ilire (Trajan Deci, Klaudi IIo, Kvintili, Aureliani, Probi, Diokleciani, Maksimiani, Konstandini i Madh).
Të tria monedha janë sestercë të punuar prej bronci me madhësi dhe peshë standarde karakteristike për këtë lloj të monedhave dhe janë prerë në vitet 242/243, 244/245 dhe 249/250 të erës sonë, pra i përkasin kohës së sundimit të tre perandorëve të ndryshëm, por të gjitha janë të prera në punëtorinë monedhaprerëse në kryeqendër të Provincës Mezia e Epërme -
Viminacium, e cila kishte vepruar nga viti 239 deri në vitin 255 të erës sonë. Monedha e perandorit romak Gordiani IIIo, e gjetur në Pejë, së bashku me dy monedhat më herët të gjetura në këtë rajon, me thesarin e monedhave nga fshati Izvore afër Mitrovicës dhe thesaret e tjera simotra të gjetura anembanë Mezisë së Epërme janë dokumente të rëndësishme numizmatike dhe dëshmi historike të kohës lidhur me prerje provinciale të monedhave romake dhe
ngjarjeve të tjera historike të mesit të shekullit IIIo të erës sonë.