Huazimet greke të sferës fetare
Krishterimi ka qenë feja e parë që përqafuan shqiptarët pas paganizmit, para më shumë se dymijë vjetësh. Si në shumë vende të Mesdheut, ai hodhi rrënjë nga apostujt e dishepujt e tyre që në periudhën apostolike1. Por, me ndarjen e Perandorisë Romake në të Perëndimit e të Lindjes, edhe Kisha u nda në dy pjesë, nga njëra anë kisha katolike me qendër Romën, nga ana tjetër, kisha ortodokse me qendër Konstantinopolin. Për hir të lashtësisë së krishterimit ndër shqiptarë, terminologjia më e hershme kishtare është me prejardhje latine, si rrjedhim, ajo vijoi edhe në kishën ortodokse. Prandaj terma të tillë si: kishë, prift, shenjt, kryq, bekoj, pagëzoj e shumë të tjera përfaqësojnë shtresën më të vjetër të terminologjisë kristiane të të dy besimeve. Por përqendrimi i fesë ortodokse kryesisht në Jug të Shqipërisë do të sillte një ndryshim të ndjeshëm në burimin e terminologjisë kishtare: ndërsa Veriu katolik vijoi traditën latine dhe më vonë italiane, kisha ortodokse në Jug u orientua nga greqishtja, çka lidhej jo vetëm me fqinjësinë, por edhe me ndikimin e gjuhës greke në popullsinë ortodokse të Ballkanit. Në aspektin studimor, ndërsa terminologjia latine-romane e kishës katolike është trajtuar nëpërmjet studimeve të autorëve të vjetër dhe huazimeve nga gjuhët e mësipërme, terminologjia fetare me burim prej greqishtes ka mbetur e patrajtuar në tërësi.